Kosova
Rafale mund të ngrejnë tensionet me Kosovën
Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francez, Rafale, ka njoftuar të martën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media së bashku me homologun e tij nga Franca, Emmanuel Macron.
Agjencia e lajmeve amerikane, Associated Press, në një artikull kushtuar marrëveshjes për armatim mes Serbisë dhe Francës nënvizon faktin se shitja e avionëve luftarakë do të mund të inkurajonte Vuçiç-in që të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë. Associated Press gjithashtu në artikullin në fjalë potencon se blerja e mundshme e avionëve Rafale, do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit rus.
“Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë”, potencon artikulli. Macron, gjatë një konference për media pas takimit me Vuçiç, tha se do të sigurohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa veçoi rëndësinë që të gjithë sulmuesit në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë.
Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës të vihen para drejtësisë, ndërsa nga Kosova kërkoi që të respektojë të gjitha obligimet që burojnë nga dialogu, por edhe të sigurojë legjitimitet të plotë demokratik në katër komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.