Connect with us

Politike

Rama fton grekët në Shqipëri: Kemi taksa më të ulëta se këtu

Kryeministri Edi Rama po mban një “show” sot me emigrantët shqiptarë në Athinë, teksa gjatë fjalimit nuk la pa thumbuar politikanët grek që erdhën protestuan në Shqipëri, kundër arrestimit të Belerit.

Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria është e hapur dhe mikëpritëse për grekët dhe i “krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje e pastaj vjen e humb zgjedhjet këtu”.

Ai ftoi grekët që të vijnë në Shqipëri, pasi do të gjejnë taksa më të lira se në vendin e tyre.

“Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia.

Shqiptarët janë të dashuruar me brigjet e Greqisë, por gjithnjë e më shumë greke po zbulojnë Shqipërinë ku ndihen si në shtëpinë e tyre. Grekët kanë qenë janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri jo vetëm për të pushuar por dhe për të punuar hapur dyqane, ngritur kompani, startuar linja investimesh për të përfituar nga një regjim taksash shumë më i ulët se në Greqi. Madje Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash. Përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje e pastaj vjen e humb zgjedhjet këtu! Byjrum! Si në shtëpinë tuaj.” – deklaroi kryeministri shqiptar.

Po ashtu Rama tha se grekëve etnikë në Shqipëri nuk i mohohet asnjë e drejtë dhe trajtohen njësoj si shqiptarët.

“Greket e Shqipërisë kanë hallë, kanë probleme. Ne duhet dhe do bëjmë ende për ta, por e vërteta e madhe jashtë lojërave politike, por asnjë hall i tyre nuk është i ndryshëm nga hallet e qytetareve shqiptarë. Në një vend si i yni që përparon përditë, por kur plagët e trashëgimisë negative janë ende jo të mbyllura. Ama kurrë, asnjëherë në asnjë rast një grek etnik  në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij. Në asnjë rast, grekëve etnikë nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës. Kurrë, asnjëherë në asnjë rast qytetareve greke të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo zgjedhjes”, u shpreh Rama.

Sa i takon pronave, kryeministri tha: “Nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë. E kush nga ju që ka një shtëpi apo një tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë mund të thotë të kundërtën, që ky është problem i Shqipërisë”.

Advertisement