Politike
Rama mesazh inkurajues kandidatëve të PS: Nuk ka humbës, vetëm fitues! Kokat lart…

Me mbylljen e procesit të numërimit të votave, kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të gjithë kandidatëve për deputetë që garuan me siglën e Partisë Socialiste. Fillimisht, kreu i qeverisë ka një falenderim për fushatën e kryer nga të gjithë garuesit, duke i dedikuar edhe disa rreshta të gjithë atyre që nuk ia dolën që të ishin pjesë e Kuvendit. Në mesazhin e tij, Rama shkruan se nuk ka humbës, pasi Partia Socialiste ka fituar. Ndaj për të, të gjithë duhet ta mbajnë kokën lart dhe të vazhdojnë përpara.
“Së pari, dua t’ju falenderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila bëri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit! Së dyti, dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor!. Të gjithë atyre që s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës po vetëm fitues!,”- tha Rama.
Një falenderim ka edhe për familjarët e të gjithë kandidatëve, që për kryesocialistin kanë sfidën më të madhe.
“Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur.”
Në fund, Rama lajmëron edhe një festë fitoreje.

