Connect with us

Kosova

Rama-Kurti, beteja për influence rajonale, ‘Politico’ për dy blloqet e shqiptarëve në RMV

Në një artikull të prestigjozes “Politico” mbi ciklin e ri elektoral në Maqedoninë e Veriut, një pjesë i kushtohet edhe ndarjes së partive shqiptare, ku prezenca e dy blloqeve politike në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj 2024, vlerësohet të jetë njëfarë zgjerimi i rivalitetit midis liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë, në përpjekje për rritje të influencës rajonale.

Dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë koalicioni Fronti Evropian dhe koalicioni VLEN. Përderisa koalicioni i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) gëzon mbështetjen e heshtur të kryeministrit të Shqipërisë, koalicioni VLEN mbështetet hapur nga kryeministri i Kosovës, këshillitari i të cilit garon në zgjedhjet e së mërkurës.

“Prezenca e dy blloqeve shqiptare shihet shpesh sikur një zonë për influencë më të madhe rajonale mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Ky i fundit ka treguar mbështetje të fortë për bllokun anti-BDI”, shkruan “Politico” duke i bërë jehonë faktorit shqiptar në proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar ky vend.

Ndryshe, sondazhet e nxjerrin VMRO-në fituese të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa parapëlqen të marrë në qeverisje koalicionin VLEN, ndonëse brenda kampit shqiptar, fitues pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian – në pushtet për 20 vjet. E votat e shqiptarëve mund të luajnë rol kyç edhe në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që mbahet në të njëjtën ditë.

Megjithatë, shkrirja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përtej kufijve shtetëror, përkatësisht në trupin elektoral të Maqedonisë së Veriut, sipas analistëve politikë, përveç përmbushjes së ambicieve personale të kryeministrit kosovar, do të krijojë edhe një precedent të rrezikshëm në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike.

 

Advertisement