Connect with us

Aktualitet

Rama mbron Olta Xhaçkën, PS refuzon ta dërgojë mandatin në Kushtetuese

Mazhoranca ka votuar kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, për konfliktin e interesit pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik.

Votimi në Kuvend ka qenë 39 vota pro, asnjë abstenim dhe 72 vota të mazhorancës kundër. Kështu, pasi e zvarriti dhe e mbajti për më shumë se një viti në sirtarin e kryeparlamentares Lindita Nikolla, tashmë mazhoranca ka dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetues për të mbrojtur mandatin e deputetes Xhaçka.

Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.

Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim.

Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.

Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës. Pikërisht për këtë arsye Lindita Nikolla e mbante në sirtar prej më tepër se një viti kërkesën dhe nuk e çonte atë për gjykim.

Tashmë, publikisht, jo vetëm Nikolla, por e gjithë mazhoranca në bllok, me urdhër të Ramës u kthyen në mburojë të mandatit të Olta Xhaçkës.

Advertisement