Politike
Rama me të rinjtë e PS: Yjet tona dhe yjet e Europës janë bashkë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë, ku theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që mund të anëtarësohen së shpejti në Bashkimin Europian.
Ai shtoi se yjet që përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe ata të Europës janë tashmë të bashkuar. Rama bëri thirrje për angazhim maksimal për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, para se dera e zgjerimit të mbyllet.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e procesit të zgjedhjeve që pritet të zhvillohen, duke u shprehur se mesazhi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ai u kërkoi qytetarëve të votojnë numrin 5, pavarësisht orientimit të tyre politik. Rama bëri një krahasim me vitin 1992, kur shqiptarët, të majtë e të djathtë, votuan për PD-në dhe u angazhuan për Europën dhe botën.
Kryeministri Edi Rama takim me të rinjtë: Ka dy vende që mund të anëtarësohen në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi. Yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë. Duam që Shqipëria të hyjë ne Bashkimin Europian. Është hapur një derë, që nuk do rri hapur gjithmonë. Dera e zgjerimit hapet dhe mbyllet, mund të ndodhë çdo gjë, por ne këtu do të bëjmë gjithçka. Të bëjmë gjithçka që të hyjmë në atë derë, përpara se ajo të mbyllet prapa nesh. Janë futur zgjedhjet në mes dhe mesazhi i zgjedhjeve ka shumë rëndësi. Mesazhi duhet të jetë tepër i fortë. Të gjithë shqiptarët të shkojnë te numri 5, pavarësisht nëse janë apo jo me PS. Më 1992, të majtë dhe të djathtë votuan për PD-në dhe të gjithë përqafuan Europën dhe botën.

