Politike
Rama: Pagat e deputetëve nuk do rriten sa të jem unë
Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ndodhej në Elbasan në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore. Ai bëri me dije nga Elbasani se pagat e ministrave dhe deputetëve nuk janë rritur prej 9 vitesh që kur PS ka ardhur në pushtet dhe as ajo e kryeministrit. Kreu i qeverisë theksoi se as nuk do të rriten për sa kohë që nuk janë në gjendje të rrisin pagën e qytetarëve.
Lidhur me protestën e pedagogëve, Rama tha se rroga e tyre është rritur më shumë se e të tjerëve.
Rama: Që në vitin 2013 nuk janë rritur asnjëherë pagat e ministrave, nuk janë rritur pagat e deputetëve dhe nuk kanë për tu rritur. As paga e kryeministrit sa të jem unë këtu. Pse? Për një mesazh shumë të thjeshtë. Për sa kohë ne nuk jemi në gjendje që t’ia rrisim të tjerëve pagën deri në pikën ku ne të meritojmë të na rritet paga jonë, nuk kemi pse rrisim pagën tonë. Sot po të shohim se çfarë punësh janë bërë është një Shqipëri tjetër nga ajo që shihet në TV. Në TV askush nuk kujtohet të tregojë pë rata të cilët punojnë dhe eksportojnë. Shqipëria sot punon dyfishin e tokës që punonte para 7-8 vitesh.