Politike
‘Rama palë me trafikantët’/ Meta: Mos e votoni pr.ligjin për kanabisin
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e votojnë ligjin për legalizimin e kanabisit mjekësorë, pasi e cilëson si një ‘borxh të Ramës ndaj trafikantëve që ndihmuan në blerjen e votave.
“Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës. Ndërkohë që përfshirja e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e kokainës në Europë, nga viti 2012 vlerësohet se ka rritur ndjeshëm konkurrencën, ka ulur çmimet dhe përmirësuar cilësinë, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e konsumit, tendencë që u bë e dukshme pas vitit 2015.
Lidhjet e trafikantëve shqiptarë të drogës tashmë janë të drejtpërdrejta me Kolumbinë, Bolivinë dhe vende të tjera prodhuese.Kjo situatë, shumë e rënduar vjen sepse qeveria është bërë njësh me trafikantët dhe policia, veçanërisht krerët e saj janë inkriminuar thellë me ta, ashtu siç u pa ditët e fundit edhe me grupin e madh të policisë në Shkodër që ishte pjesë e trafikut të drogës.
Kjo situatë, e lënë qëllimisht jashtë kontrollit nga qeveria ka detyruar DEA-n amerikane t’u kërkojë bashkëpunim qytetarëve dhe të hapë linja të veçanta komunikimi me ta.
Gjithashtu Departamenti Amerikan i Shtetit në vazhdimësi ka konstatuar se: Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë. Trafikantët shqiptarë, luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar.
Shqipëria konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Pikërisht, në një situatë të tillë kaq të rëndë, Rama po legalizon drogën, ndërkohë që Shqipëria prej vitesh konsiderohet ndërkombëtarisht si Kolumbi e Europës.
Është e qartë, se legalizimi i kanabisit nga Rama është borxhi i detyruar, që ai po i paguan narkotrafikantëve për blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve.
Alibia e qeverisë, se legalizimi bëhet për gjoja qëllime shëndetësore është thjesht dhe vetëm një alibi për të justifikuar krimin shtetëror dhe pengmarrjen e qeverisë.
Përdorimi mjeksor i kanabisit është eksperimental, shumë i kufizuar dhe i palegalizuar në formë protokollesh mjeksore te konsoliduara. Vlera dhe pesha e kanabisit në trajtimin mjekësor të patologjive në nivel botëror është praktikisht zero. Edhe pesha ekonomike e tij është thuajse zero dhe pa asnjë vlerë për ekonominë e vendit.
Pra është e qartë se legalizimi i kanabisit nga Rama është taksa, që ai po u paguan bandave të narkotrafikut për shërbimet e tyre në blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve si dhe në pastrimin pa fre të parave të pista të qeveritarëve. Ju bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të mos e votojnë projektligjin e zi të legalizimit të kanabisit dhe të mos shndërrohen në bashkëpjesëmarrës në këtë krim kaq të rëndë kundër të sotmes dhe të ardhmes së vendit dhe kundra jetës dhe shëndetit veçanërisht të të rinjve të Shqipërisë”, tha Meta.