Connect with us

Shkrime

Rama për The Observer: Për t’u antarësuar në BE, po ‘gëlltisim shumë bretkosa’, me ne Europa do mbijetojë

Në zyrën e tij të mbushur me vepra arti, me trupin e madh të mbështetur në një kolltuk prej lëkure me ngjyrë të errë, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, flet në një intervistë për The Observer, për “errësirën” që, sipas tij, ka zbritur mbi Evropën.
Megjithatë, nuk mund të thuhet që Rama, i cili fitoi mandatin e tij të katërt në maj po kalon një vit të keq, ndërkohë që Shqipëria po merr vlerësime për përparimin në bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj, ai është i trazuar nga “mungesa e gjithanshme e energjisë pozitive”  dhe nga ndjesia se Evropa, pavarësisht “udhëheqësve të mëdhenj”, po rrëshqet gjithnjë e më thellë në një gjendje pesimizmi.
Piktor përpara se të hynte në politikë, Rama përçon frymën e një profesori i cili, ndonëse kundërshtues dhe alternativ – stili i tij i pagdhendur përfshin një prirje për kravata të pikturuara me dorë – ka arritur që nëpërmjet vendosmërisë, talentit dhe karizmës të sjellë reforma gjithëpërfshirëse në shtetin që në komunizëm ishte i mbyllur hermetikisht.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, e ka mbështetur fuqishëm aleancën euroatlantike. Tregues i entuziazmit të saj për atë që Rama e quan “i vetmi pozicion moralisht i qëndrueshëm” është një targë makine e vendosur dukshëm jashtë zyrës së tij, me fjalën “Ukraine” dhe e zbukuruar me zemra të kuqe.
“Na fusni në Evropë dhe jam gati të nënshkruaj një marrëveshje ku të thuhet qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos” tha Rama.
Në ish-shtetin stalinist nuk ka nostalgji për Rusinë e sotme, edhe pse intelektualët shqiptarë shprehin një dashuri për gjigantët e letërsisë ruse që lexoheshin dhe mësoheshin deri sa diktatori Enver Hoxha i preu lidhjet me Moskën.
“Çdo njeri që interesohet për botën mund të dojë shumë gjëra nga Rusia,” shton Rama. “Por jo politikën ruse. Në Shqipëri sigurisht që nuk na merr malli për faktin që nuk kemi pasur asnjë punë me Moskën që nga viti 1960.”
Gjashtë muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Putini në shkurt 2022, autoritetet bashkiake të Tiranës e riemëruan bulevardin ku ndodhej ambasada ruse në “Rruga Ukraina e Lirë”, duke bërë të qartë se çdo dërgesë postare do të drejtohej në adresën e re. Misioni diplomatik u detyrua shpejt të zhvendosej.
Megjithatë, Rama është gjithashtu kritik ndaj mënyrës se si Evropa ka trajtuar negociatat e paqes, duke i dhënë meritë Trumpit për çeljen e komunikimit me Rusinë dhe për sjelljen e “diçkaje të re dhe të rëndësishme në lojë”.
“Ai solli komunikimin dhe diplomacinë në mes të një lufte që mund të ketë qenë e para ndonjëherë pa komunikim,” thotë ai. “Po, e bëri në mënyrë përçarëse sepse kështu vepron, por edhe këtu lind pyetja për ne: çfarë po bëjmë ne? Si ka mundësi që Evropa të mos ketë pasur kurrë një plan paqeje, apo komunikim të drejtpërdrejtë me Rusinë? A është kjo normale për atë që jemi si evropianë? Unë nuk mendoj kështu”, thotë Rama.
Në këtë boshllëk, thotë ai, Putini ka arritur të ketë sukses – “si shahisti brutal që është” – duke ushqyer një psikologji frike për sulme të mëtejshme, kur në realitet trupat ruse kishin kaluar vite duke u përpjekur të merrnin rajonin e Donbasit në Ukrainë.
Pushtimi ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë gjeopolitike të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në bllokun me 27 anëtarë, thotë ai.
Rama e pranon hapur se, në dëshirën për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria është detyruar “të gëlltisë shumë bretkosa”.
Por anëtarësimi është gjithashtu ekzistencial. Pas më shumë se 500 vitesh si një cep periferik i Perandorisë Osmane dhe gati pesë dekadash nën një regjim komunist më brutal se çdo tjetër, asnjë synim nuk tingëllon më i suksesshëm se ky.
Gjeografia, thonë ata që janë ende mjaftueshëm të rritur për ta kujtuar, i bënte evropianë, por mizoria dhe paranoja e Hoxhës bënë që shqiptarët të mos ndiheshin kurrë pjesë e kontinentit.
Dekadat e tranzicionit të trazuar pas rënies së regjimit vetëm sa e kanë forcuar qëndrimin ndaj  BE-së. Nga të gjithë kandidatët që presin në derën e Brukselit, asnjë vend nuk ka mbështetje më të lartë për anëtarësim se Shqipëria. Ky entuziazëm shpjegon pjesërisht pse Rama e ka vendosur vitin 2030 si objektiv për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, me synimin që negociatat të mbyllen deri në fund të vitit 2027; një ambicie që kundërshtarët e tij e quajnë “krejtësisht jorealiste”, por lideri 2 metra i gjatë duket i vendosur të bëjë gjithçka që duhet.
“Na fusni në Evropë dhe jam gati të nënshkruaj një marrëveshje ku të thuhet qartë se nuk duam të kemi fuqinë e vetos,” thotë ai. “Ne kurrë nuk do ta përdorim votën tonë kundër shumicës. As nuk duam komisionerin tonë. Mund të bëjmë një marrëveshje me Italinë dhe komisioneri i Italisë të jetë komisioneri ynë. Jemi gati ta bëjmë këtë si garanci ndaj çdo frike se ndonjë tip i çmendur nga Ballkani do të hyjë në klub me fuqinë e vetos dhe do të fillojë të imponojë gjëra” .  /TheObserver

Advertisement