Connect with us

Politike

Rama: S’do bashkëpunoj me Tom Doshin! E vendos unë kur largohem nga pushteti

Kryeministri Edi Rama foli në emisionin “Të Paekspozuarit” për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, koalicionet dhe se si do të qeverisë Partia Socialiste nëse del fituese pas zgjedhjeve.

Rama tha se e vendos vetë ai kur do largohet nga pushteti ndërsa theksoi se PS merr më shumë se 74 mandate në zgjedhjet e 11 majit.

Sa i përket partive të reja, Rama tha se interesat e tyre janë shumë të vogla dhe se bëjnë zhurmë të madhe pa arsye. Kreu i qeverisë theksoi se partitë e reja janë rilindje e farës së keqe të LSI-së.

Nëse do të bashkohet me PSD-në e Tom Doshit nëse do ju duhet pas 11 Majit, Edi Rama tha se nuk do të bëjnë koalicion me askënd pasi të vetmin koalicion PS e ka me shqiptarët.

“Ne s’kemi ndjekur logjikën atë që dua unë për listat. Këtë herë ne kemi ndjekur logjikë tjetër. Kush ka mandate nga PS duhet t’i rikonfirmojë në ballafaqim me publikun.

Plus disa ministra i kemi lënë në ballafaqim me publikun se pastaj do ishte komplet i cunguar kapaciteti i garës së PS me kundërshtarët.

Kemi ndërtuar një skuadër që do maksimizojë votën dhe situata e kënetës në pasditen e 12 Majit do jetë shumë e rëndë, shumë keq. Pasditen e 12 Majit këneta do jetë shumë keq.

Partitë e vogla bëjnë zhurmë të madhe. Unë them që shoh në këto zhvillime një rilindje të farës së keqe të LSI-së.

Kur del dikush dhe thotë do marr 71 mandate, më kujton dikë që thoshte do marr 71 mandate. Unë nuk besoj tek partitë e vogla, besoj që partitë e vogla krijohen për interesa të vogla. Bërtasin shumë sepse interesat i kanë të vogla. Punët e mëdha nuk bëhen me parti të vogla”,-tha Rama.

I pyetur nëse do të bashkëpunojë pas zgjedhjeve me Partinë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi, Rama u përgjgj se nuk do të bashkohet me askënd.

“Ne nuk do të bashkohemi me askënd, sepse ne jemi të bashkuar me shumicën e shqiptarëve se është zgjidhur kjo që në 2017. Nuk kemi nevojë të marrim njeri në prehër dhe pastaj të na thonë ose na ushqe ose do të lëviz timonin dhe do të hedh”,- tha Rama.

Advertisement