Politike
Rama: Sulm i organizuar kundër turizmit, profile false përdoren për goditje
Kryeministri Edi Rama në një takim me kryebashkiakët tha se një sulm i organizuar është marrë nga disa anë për të goditur turizmin shqiptar. Rama tha se sistemet e sigurisë kombëtare janë aktivizuar dhe kanë identifikuar profile false që po përdoren për këtë sulm.
Tendenca e flukseve turistike për të shtuar përtej detit dhe eksploruar deri në zona dhe pika që as nuk imagjinoheshin të kishin turistë, është e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Faktet janë në terren, nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi që vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Shumë profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra ana e medaljes që vlen për diçka tjetër, vlen për të kuptuar që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës erdhi me sfida të reja. Sfida komplekse që kanë të bëjnë me të gjithë elementët.
Komisoni Europian i Udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turizmit, pastaj vjen Serbia me 48%, Mali i ZI, Turqia.
Pjesë e këtij sulmi është një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Nga janari në qershor janë 1.7 mln hyrje të qytetarëve të Kosovës, ose 25% më shumë se vjet.