Politike
Rama: Të ardhurat për frymë do t’i çojmë në 10 mijë euro
Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e tij do t’i çojë të ardhurat për frymë në 10 mijë euro, një premtim që e bën vetëm pak ditë pasi deklaroi se do të çojë pagën mesatare të administratës në 900 euro.
Rama foli gjatë takimit me punonjësit e një sipërmarrjeje private në Durrës, ku kërkoi që rritja e pagave të reflektohet edhe në sektorin privat.
Rama tha se të ardhurat për frymë janë aktualisht 6400 euro, megjithatë Shqipëria sipas statistikave të 2022, renditet e fundit në Europë.
“Nëse ne në këtë periudhë të qeverisjes tonë i kemi rritur të ardhurat për frymë në 6400 euro në total, nga 3300 ne duhet ta kemi të fiksuar që pa i çuar të ardhurat për frymë në 10 mijë euro, nuk kemi bërë atë që duhet.
Unë jam i bindur që do ta arrijmë këtë, por do ta arrijmë duke ecur krah për krah me sipërmarrjen. Paga në sektorin publik ka shkuar në 900 euro, ky është një hap shumë i madh, por duhet të sigurohet edhe nga ecja e kompanive private”, u shpreh Rama.