Politike
Rama-ultimatum bankave: Brenda këtij viti pensionistët t’i marrin paratë online
Kryeministri Edi Rama është takuar të enjten me përfaqësues të sistemit bankar, të cilëve u ka tërhequr edhe një herë “veshin” për faktin që një pjesë e mirë e bankave të nivelit të dytë vijojnë të funksionojnë me metoda tradicionale .
Në takimin, ku të pranishëm janë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministri i Financave, Ervin Mete, Rama kërkoi nga përfaqësuesit e bankave që brenda këtij viti të jetë implementuar “open banking”.
“Bankat mbeten shumë larg nevojës së ekonomisë. Eficenca e transaksioneve, pagesat direkte janë me metoda tradicionale. Qeveria duhet të fokusohet te inovacioni, faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, e ka të shkruar, që në janar të këtij viti, duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, aplikimi i protokolleve të open banking. Afat, ky i përsëritur”, tha ai.
Duke kujtuar që teknologjia e lejon tashmë, kreu i qeverisë kërkoi nga bankat që të “jenë në lartësinë e sfidës dhe të hapin dyert e teknologjisë.”
Më konkretisht, qeveria kërkon nga bankat që brenda këtij viti, pensionistë të marrin pensionet përmes sistemeve të reja. Bizneset të shesin me këto sisteme. Dhe, që qarkullimi i CASH-it në vend të bjerë ndjeshëm.
Procesi pritet që të drejtohet nga Banka e Shqipërisë.
“Të gjitha justifikimet, albite që vijnë nga prishja e një status quo-je të viteve me radhë, nuk do t’i tolerojmë”, tha ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bankave bënë të ditur se këto të fundit ndodhet në periudhë testimesh dhe se në qershor do të jenë të gjitha gati për të dalë “live” në qershor sa i takon “open banking”.