Aktualitet
Ramush Haradinaj, spektator në një ndeshje që po i shkruhet në mungesë të tij

Analisti Baton Haxhiu ka thene se Ramush Haradinaj eshte per kryeministrin Albin Kurti një kundërshtar që flet pa filtra dhe vepron pa paralajmërim. Sipas tij, perfshirja ne koalicionin qeverises, te një figure me të kaluar ne luften e UCK si Fatmir Limaj, i jep më shumë hapësira për manovra, qoftë edhe në çështjen e ndjeshme të Asociacionit.
Haxhiu shkruan gjithashtu se Haradinaj nuk ka më hapësirë për veprime radikale dhe mbetet spektator në një ndeshje që po i shkruhet në mungesë.
“AAK-ja dhe LDK-ja, asnjëra nuk do të arrijë të rritet në zgjedhjet që do të pasojnë, sidomos kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit, ku duhen 80 vota në parlament. LDK-ja po përjeton një ngërç të thellë drejtimi. Lumir Abdixhiku do të humbë përsëri dhe kësaj here nuk do të ketë kush ta mbrojë në parti. Do të përballet me dy rrugë: të largohet nga politika ose të krijojë një subjekt të ri me një bazë të vogël prej 10%.
PDK-ja do të detyrohet të reflektojë. Procesi i Hagës do ta kthjellojë. Nëse liderët e saj shpallen fajtorë, ajo do të kërkojë një identitet të ri; nëse janë të pafajshëm, do të tentojë një rikthim. Por, rruga do të jetë e gjatë dhe me kosto.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që i shkaktoi më shumë dëm Kosovës në qeverisje, po shpreson që të fitojë zgjedhjet lokale me dikë tjetër në krah, për të shpërndarë buxhetin për vete dhe jo për opozitën. Dhe këtu, marrëveshja me Limajn është thelbësore.
Limaj, nëse nuk hyn në koalicion, zhduket si faktor politik. Nëse hyn, ai do ta bëj si dikur, të kërkojë një pako që nuk është thjesht për sot. Ai nuk mund të jetë një deputet me tre vota për të mbushur numra. Ai do të kërkojë një marrëveshje që përfshin: koalicion të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme dhe strukturë të ndarë pushteti në qeverisje dhe në nivel lokal.
Një narrativë të re që e paraqet NISMA-n si faktor shtetformues dhe jo si ndihmë të rastit për t’i dhënë Kurtit pushtetin.
Nëse e arrin këtë, Limaj i jep jetë vetes dhe zgjat jetën politike të Vetëvendosjes. I jep një strehe vetes, ndonëse është streha e një kundërshtari të dikurshëm.
Nëse armiqësitë e vjetra shndërrohen në ura për të ardhmen, atëherë kjo është forma më e rafinuar e pragmatizmit politik. Jo pa kosto morale, por me fitim afatgjatë”

