Connect with us

Kosova

Raporti i Gallup International: Kosova dhe Shqipëria mbeten ndër vendet më optimiste në botë

Në Kosovë 46% presin që viti i ardhshëm do të jetë vit me prosperitet ekonomik, 31% presin që do të jetë vit me vështirësi ekonomike.

Në Shqipëri, qytetarët janë shumë më optimistë për ekonominë, ku 54% presin prosperitet, vetëm 12% presin vështirës

Raporti i fundit i Gallup International shpalos një pamje alarmuese për frikën globale nga konfliktet ushtarake dhe vështirësitë ekonomike, gjersa në këtë kontekst të ndërlikuar të zhvillimeve globale, Kosova dhe Shqipëria shkëlqejnë si ndër vendet më optimiste në botë duke treguar një frymë pozitive dhe shpresë për një të ardhme më të ndritshme nën kushtet e vështira të kohës së sotme.

Gallup International, në vazhdën e studimit më të gjatë në botë, i cili filloi në vitin 1979, ka vazhduar dhe këtë vit me matjen e indeksit të Shpresës, Lumturisë dhe pritjet për situatën ekonomike.

Përmes Kantar (Index Kosova), Kosova është pjesë e studimit të Gallup International që nga viti 2000. Studimi zhvillohet çdo fund-vit.

Këto janë disa nga gjetjet e studimit global nga Asociacioni Gallup International.

Rreth 26% të qytetarëve anembanë globit presin vit më paqësor në vitin 2024, por 39% presin të kundërtën – vit më të trazuar.

Para disa vitesh, Indeksi i optimizmit global të paqes zbuloi përqindje të njëjta të optimistëve dhe pesimistëve. Tani, si duket lufta e Ukrainës ka zgjuar frikën anembanë globit.

Përderisa në Kosovë 33% presin vit më paqësor dhe 42% vit më të trazuar, në Shqipëri qytetarët duken më pak të brengosur – 45% presin vit më paqësor dhe vetëm 20% vit më të trazuar.

Në Ukrainë 26% presin vit më paqësor dhe 33% vit më të trazuar, ndërsa në Rusi vetëm 12% presin vit më paqësor dhe 35% vit më të trazuar.

Perëndimi në tërësi duket i brengosur. Në anën tjetër të globit ka vende të jugut dhe të lindjes me shembuj si Afganistani dhe Indonezia, ku deri në 68% kanë pritje pozitive për paqen.

Fatkeqësisht, nuk ka rënie domethënëse sa i përket frikës nga lufta bërthamore në krahasim me vitin e kaluar.

Rreth 40% e qytetarëve të botës shohin rrezik të lartë nga lufta bërthamore, rreth 37% shohin rrezik mesatar dhe vetëm 14% nuk shohin fare rrezik nga një luftë e tillë.

Në Kosovë, 53% shohin rrezik të lartë dhe 19% rrezik mesatar, ndërsa në Shqipëri 42% shohin rrezik të lartë dhe 40% rrezik mesatar nga lufta bërthamore.

Shumica e qytetarëve në SHBA e shohin rrezikun mesatar, ndërsa në Rusi 20% shohin rrezik të lartë dhe 40% rrezik mesatar.

Rreth 39% e të intervistuarve në botë presin që viti 2024 do të jetë më i mirë sesa viti 2023 dhe 26% presin që viti i ardhshëm do të jetë më i keq.

Afër 30% presin që viti i ardhshëm do të jetë i njëjtë sikur viti 2023. Rezultatet duken pak më optimiste sesa ato të vitit të kaluar.

Vendet si Gjermania, SHBA-ja dhe Rusia tregojnë përmirësim në pritjet për vitin e ardhshëm në krahasim me fundin e vitit 2022, por megjithatë mbesin të brengosura.

Vendet si Irani, për shembull, nuk janë pesimiste, ndërsa India është pozitive dhe vendet e jugut janë tradicionalisht optimiste.

Përkundrazi, Evropa mbetet jo aq pozitive, me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë.

Arabia Saudite është vendi më optimist në botë, ndërsa pas saj radhiten Indonezia, Kosova, Afganistani, India dhe Shqipëria.

Pritjet për ekonominë duken pak më të mira sesa vitin e kaluar, por jo edhe aq shumë.

Rreth 39% presin vit me vështirësi ekonomike – rreth 9% më pak se vitin e kaluar. Pritjet për prosperitet ekonomik ose së paku vit pa ndryshime tregojnë rritje të lehtë, megjithatë pritjet negative mbizotërojnë. Bashkimi Evropian mbetet ndër vendet më pesimiste.

Në Kosovë 46% presin që viti i ardhshëm do të jetë vit me prosperitet ekonomik, 31% presin që do të jetë vit me vështirësi ekonomike dhe 18% presin vit të njëjtë me vitin 2023.

Në Shqipëri qytetarët janë shumë më optimistë për ekonominë, ku 54% presin prosperitet, vetëm 12% presin vështirësi dhe 34% presin një vit të njëjtë ekonomikisht sikur viti 2023./MONITOR

Kosova

Eksperti amerikan zbulon pse Kurti nuk e bëri lëshimin e madh me Asociacionin

Kosova dështoi të përfundojë procesin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, ndonëse ishte paraparë që kjo të ndodhte më 17 maj. Ndonëse në muajin prill, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni për anëtarësim, përmes aprovimit të raportit të Dora Bakoyannis, gjërat ndryshuan gjatë kësaj periudhe.

Shkak për këtë është kushti që shtetet e fuqishme anëtare si Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë vendosur Kosovës, me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të enjten, Qeveria e Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert. Ajo gjithashtu deklaroi se ky draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Mirëpo, letrën e Qeverisë së Kosovës, shtetet anëtare e konsideruan si të vonuar dhe kërkuan fillimisht formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe pastaj anëtarësimi i Kosovës në KiE.

Reagimet e Francës dhe Gjermanisë, i ka komentuar profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin I cili u shpreh se kryeministri Albin Kurti, po i përmbahet parimit të tij dhe se ai nuk heq dorë nga sovraniteti i Kosovës, as për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë. Ai gjithashtu ka komentuar edhe gatishmërinë e Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe sipas tij, të njëjtat do të dëshmonin se ai ka mbështetjen e fuqishme të popullit për Asociacionin.

“Thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë kontekst ka kuptim të mirë nëse Kurti është i bindur se do të fitojë. Një fitore zgjedhore do të ishte dëshmi e fuqishme e mbështetjes popullore për linjën e tij të ashpër ndaj Asociacionit” – theksoi David Kanin.

Continue Reading

Kosova

E rëndë në Kosovë/ Ngacmon s*ksualisht të miturën, vihet në pranga 61-vjeçari

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Isa Boletini” në Vushtrri të Kosovës, ku një person ka sulmuar s*ksualisht një vajzë të mitur 11-vjeçare.

Sipas Gazetës Sinjali, e mitura është sulmuar s*ksualisht nga një person i moshës 61-vjeç teksa ndodheshin në një market.

Autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë është identifikuar si Bahri Bajrami, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe po intervistohet.

Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari e ka prekur viktimën në gjoks, duke i shkaktuar shqetësim të madh dhe frikë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përveç sulmit s*ksual në market, 61-vjeçari e ka ngacmuar viktimën përmes rrjeteve sociale, duke i dërguar mesazhe të ndryshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, në dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Sulm s*ksual’.

Continue Reading

Kosova

Osmani takohet sot me nënsekretaren amerikane të Shtetit, ja marrëveshja që pritet të nënshkruhet

Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani ditën e sotme do ta presë nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen në një takim në Presidencë. Mësohet se gjatë këtij takimi do të nënshkruhet një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Sipas njoftimit takimi do të nisë në orën 09:00 ndërsa më tej bëhet me dije se pas nënshkrimit të marrëveshjes Osmani dhe Allen do dalin në deklaratë për mediat.

“Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Nënsekretaren e SHBA-ve për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen. Mediat do të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq më pas edhe në nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Presidentja Osmani dhe Nënsekretarja Allen do të deklarohen për media”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Kosova

Si kofini pas të vjelit, Isa Mustafa ‘trimëri’ pas luftës, akuzon Kurtin

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, propozimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – që nuk është i dakorduar paraprakisht në procesin e dialogut – në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim përveç se është “paradoksal është edhe joserioz”.

Mustafa theksoi se Gjermania, Franca e Italia po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit që është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe e Ohrit (e dakorduar më 27 shkurt dhe me 18 mars), i cili në vlerësimin e tij është “një autonomi politike territoriale”.

Mustafa ndër të tjera argumentoi se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa persa i përket transformimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga kundërshtuesi më i madh, te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas Mustafës flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë”.

“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës” – potencoi ish kryeministri Mustafa.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç gjen armiqtë e jashtëm të Serbisë dhe tregon qëllimet e tyre

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, duke folur për propozimin për rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ka deklaruar se ajo ka katër qëllime. Sipas presidentit serb, një nga qëllimet është shfuqizimi i etnitetit të Republikës Serbe në BeH.

“Qëllimi i parë i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është shfuqizimi i RS, sipas dy rishikimeve të aktgjykimit për përgjegjësinë e Republikës së Serbisë, dhe i treti është që dikush të marrë ca para nga Serbia dhe ta padisë për Kompensimi për dëmet e luftës, i katërti është barra shtesë për Serbinë dhe vendosja e gjithçkaje mbi supet e saj, por qëllimi i tyre nuk është të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta, por dëshira për të shkatërruar çdo lloj proteste kundër tyre”- pohoi Vuçic I cili nuk nguroi ti gjente kundërshtarë të Serbisë në Uashington, Berlin dhe Londër.

Gjithashtu ai nuk e ka fshehur pesimizmin se do të miratohet rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Për shtatë ditë përfundon seanca e OKB-së, dhe ata do të fitojnë formalisht, por nuk do t’ju them se për sa vota, por di te them se kemi luftuar”, përfundoi presidenti serb.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING