Kosova
Raporti i ICG: Qasja e ashpër e Kurtit ndaj serbëve po dëmton marrëdhëniet me Perëndimin
Organizata joqeveritare Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) në një raport të publikuar për Kosovën me titullin “Kosova po teston kufijtë e durimit të BE-së”, është vënë në pah se Kosova viteve të fundit ka problematizuar raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo për fajin e lëvizjeve të Albin Kurtit “për të centralizuar pushtetin dhe trajtimin e ashpër nga qeveria e tij për komunitetin etnik serb që jeton në veri”.
Në raportin disa faqesh theksohet se për kryeministrin në detyrë të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje “shtypja e serbëve” shërben si bazë për planet për ta “rindërtuar shtetin e Kosovës”.
Sipas raportit Kurti për katër vjet qeverisje ka bërë disa lëvizje për ta vënë nën kontroll veriun dhe se “kontrolli i fortë” mbi këtë zonë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave si qasje mund të jetë paralajmëruese për izolim të zgjatur ndërkombëtar për Kosovën.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raport është marrë edhe me rrugën e Kurtit drejt pushtetit, ku theksohet se Kurti “është përpjekur ta centralizojë vendimmarrjen, të fuqizojë anëtarët e besueshëm të partisë dhe të anashkalojë institucionet që i konsideron si të dështuara e të mbushura me nëpunës besnikë ndaj udhëheqësve të mëhershëm”.
Raporti flet edhe për ngërçin institucional dhe bllokadën politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit si dhe mundësitë që Kurti të shfrytëzojë ndonjë veprim në komunat të banuara me shumicë serbe për të përfituar vota.