Connect with us

Kosova

Rashiq: Nuk jam optimist që të martën do të votojmë për Qeverinë e re

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha se nuk është optimist që më 15 prill – kur është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – të mund të formohet edhe ekzekutivi i ri.

Këto deklarata ai i bëri pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për Qeverinë”, tha Rashiq.

Në seancën e 15 prillit, në rend dite është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Rashiq tha se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë për kryeparlamentarin, që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, “nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm”.

Rashiq, që aktualisht është ministër në detyrë për Kthim dhe Komunitete, tha se procesi i formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është një proces i gjatë.

“Nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç i shkurtër. Ju rikujtoj se më 2014 kemi pasur një situatë të tillë, atëherë po ashtu kam qenë deputet, por pas dy-tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast, po konsideroj që varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formojë qeverinë sepse çdo opsion tjetër do ta komplikonte procesin, qoftë të demokratizimit, qoftë të udhëheqjes qeveritare, qoftë të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Prandaj, opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes”, tha Rashiq.

Advertisement