Sport
Real Madrid shpallet kampion i Europës në basketboll për meshkuj
Real Madrid shpallet kampion i Europës në basketboll për meshkuj, pas triumfit 79-78 ndaj Olympiacos në finalen e Euroleague, luajtur në Kaunas të Lituanisë.
Një ndeshje e vendosur 3 sekonda nga fundi i kohës së rregullt, falë një koshi të Sergio Llull, për të cilin ishin dy pikët e vetme të tij në këtë sfidë, por që i dhanë fitoren skuadrës së Real Madrid, që shpallet kampione e Europës për të 11-ën herë në histori.
Shënuesi më i mirë për madrilenët ishte Rodriguez me 15 pikë, mbështetur nga Tavarez me 13 pikë. Për grekët u dalluan Vezenkov me 29 pikë e Canaan me 21 pikë, por ishin të vetëm dhe të pambështetur sa duhet nga pjesa tjetër e ekipit.
Gjithsesi, ndeshja ishte e ekuilibruar dhe Olympiacos pati mundësinë të gjuajë sekondën e fundit për të fituar, por pa sukses. Real Madrid i fitoi 5 ndeshjet e fundit në Euroleague, duke përmbysur fillimisht disavantazhin 0-2 me takime ndaj Partizan Beograd në çerekfinale, për të mposhtur më pas në gjysmëfinale Barcelonën.
Ndërsa Olympiacos, që u rendit e para në sezonin e rregullt, mundi në gjysmëfinale Monaco, skuadër që zuri vendin e tretë, teksa mposhti 78-66 Barcelonën.