Connect with us

Politike

Refugjatët në Gjadër, po Lezha çfarë përfiton në këmbim

Nga Elton Lasku

Kryeministri Edi Rama na premtoi se Lezha do të jetë “Spanja e Ballkanit”, por është krejt e qartë që me ardhjen e tepricave të emigrantëve të Italisë, Lezha do të jetë Lampeduza e Shqipërisë.

Sot e kësaj dite, qeveria nuk ka bërë asnjë transparencë për këtë pakt e mbi të gjitha se çfarë fiton Lezha dhe banorët e qarkut Lezhë nga ky pakt.

Lezha do të duhej të ishte kryefjalë për turizmin, por në vend të infrastrukturës rrugore që është lënë në vitet 1990, veçanërisht aksi jetik Lezhë-Shkodër, qarkut tonë i sollën vetëm një kamp, por në këmbim asgjë tjetër.

A do të ketë Ministria e Turizmit më shumë fonde për Lezhën? A do të ketë Ministria e Infrastrukturës fonde për Lezhën?

Unë dyshoj që jo, pasi investimet në projektbuxhet nuk e parashikojnë një gjë të tillë.

Turizmi në Lezhë është ngritur me djersë dhe gjak, teksa bujqësia dhe blegtoria janë lënë në mëshirë të fatit, pasi fondet për këtë sektor e kanë shpallur Lezhën “Non Grata”.

Lezhjanët nuk e kanë më luksin ta lënë fatin e tyre në mëshirë të atyre që prej 30 vitesh i poshtërojnë dhe i diskriminojnë.

Advertisement