Shkrime
Rendi i ri botëror i Putinit/ Ku është Shqipëria
Nga Dritan Hila – Nesër Vladimir Putin pritet të mbajë një fjalim i cili do të përcaktojë objektivat e ardhshme të luftës dhe natyrisht pjesë të projektit të ri botëror.
Në fakt asgjë e re, vetëm se tani gjithçka është më e qartë.
Me luftën në Ukrainë, Rusia e rreshtoi veten si fuqi anti-evropiane. Ambiguiteti i saj 200 vjeçar humbi dhe mbizotëroi geni i saj aziatik. Tani ajo do të lidhet më shumë me Kinën dhe Indinë.
Nga pikëpamja strategjike është humbje. Largimi nga Evropa do ta lerë pa teknologjitë e reja dhe do ta bëjë të varur nga Kina, e cila edhe vetë nuk është se zotëron fjalën e fundit. Risia mund ta fitojë luftën në Ukrainë në planin taktik por e ka humbur nga pikëpamja strategjike. Pika e saj e fortë, lëndët e para të cilat janë edhe 90% e eksporteve, tani duhet të gjejnë tregje të tjera me çmime të diktuara nga blerësit.
Poli që mendon të krijojë me Kinën do ta vendosë në pozitën e vasalit, pasi ky është momenti që kinezët nuk do ta lenë t’i ikë, pas dekadave të tëra racizmi dhe pushtime të rusëve ndaj tyre.
Pavarësisht se bashkimi i Rusisë me Kinën, dhe shtesa e vendeve të tjera të BRICS, dhe pavarësisht numrit të madh të popullsisë që kanë në nivel planetar, ky grupim nuk është në gjendje të konkurrojë bllokun e kryesuar nga SHBA në prodhim bruto, teknologji dhe fuqi ushtarake.
Kush mendonte një fund të shekullit amerikan dhe rënie të SHBA, u nxitua. Lufta e Ukrainës i shërbeu si një shtysë për të treguar edhe një herë se kush komandon. Amerikanët i treguan gjermanëve se nuk mund të lejojnë kryesimin e tyre politik në Evropë. Vazhdojnë të jenë të kujdesshëm ndaj një ambicieje gjermane për zotërim të kontinentit të vjetër, ambicie që e ka çuar botën dy herë në luftë.
Franca nuk është më ajo e De Golit, sikurse edhe Italia nuk pretendon të jetë violinë e parë. Duket sikur SHBA e ka të vështirë të mbajë të bashkuar këtë koalicion, por kush del kundra, rrezikon të dalë edhe jashtë klubit të vendeve të pasura e mbi të gjitha jashtë çadrës ushtarake amerikane. Dhe në një botë që i është kthyer klauzolës së Klauzevicit se tashmë lufta nuk është opsion i përjashtuar i vazhdimit të politikës me mjete të tjera, mbrojtja amerikane do të thotë mirëqenie, siguri dhe vend në rreshtin e parë të platesë botërore.
Shqipëria është një vend i vogël dhe pothuajse pa peshë në shahun botëror. Është me fat që gjendet në zemër të kontinentit ku janë kombet e pasura të botës. Natyrisht që nuk është në krye të tavolinës së banketit, pasi ky i takon atyre vendeve që kanë edukatë pune, sisteme politike të kolauduara, politikanë të përgjegjshëm, sisteme arsimore të nivelit të lartë, sisteme shëndetësore moderne, mbrojtje sociale njerëzore, etj. etj. kushte që e bëjnë një komb modern. Por edhe fundi i tavolinës, nuk është keq.
E rëndësishme është që jemi pjesë e një grupimi nga i cili kishim shekuj të tëra të shkëputur. Do të duhen edhe njëqind vite të tjera që ne të mund t’i ngjajmë një vendi evropian në të gjitha aspektet. Kështu që durim. Gjithsesi janë hiç asgjë krahasuar më gjashtëqind vite që kemi humbur në kampin lindor, ku megjithatë edhe aty ishim thjeshtë ushtarë të perandorive të mëdha.