Connect with us

Kronike

RENEA aksion në Shkodër për masakrën e Dobraçit, pritet shoqërimi i Safet Bajrit

Policia e Shtetit, e asistuar nga forcat RENEA, ka nisur një aksion në Shkodër për shoqërimin e disa personave, mes të cilëve edhe Safet Bajri, sa i takon ngjarjes së njohur tashmë si masakra e Dobraçit, ku mbetën të vrarë në një atentat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si edhe humbën jetën aksidentalisht çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha.

Në bazë të informacioneve të para, Forcat RENEA ka zbarkuar në shtëpinë e Safet Bajrit dhe pritet shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje nga Policia.

Më 22 janar ndërkohë, janë dorëzuar në Polici Izmir Sakica dhe Samurel Troshani, të dyshuar për përfshirjen e tyre në atentatin që ndodhi më 30 tetor 2024.

Hamza Lici, ishte emër jo pak i njohur për Policinë.

Ai ishte vëllai i Ibrahim Licit, të arrestuar në Turqi si i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës.

Emri i Hamza Licit lidhet me ngjarje të bujshme në Shkodër. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh.

Në gusht 2018 u ekzekutua me kallashnikov Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.

Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash.

Nga ana tjetër, Arlind Bushati, ishte djali ish-kandidatit të Partisë Demokratike  për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushatit.

Disa ditë më parë, 32-vjeçari kishte bërë një denoncim në Policinë e Shtetit duke pretenduar se ishte kërcënuar me armë zjarri nga dy persona që nuk i kishte identifikuar.  ALBANIAN POST

Advertisement