Connect with us

Aktualitet

Republika e Inspektimeve

Nga Lutfi Dervishi

Këto ditë nuk flitet për asgjë tjetër veçse për inspektim. Çdo rrugë, çdo gropë, çdo ndërtesë, çdo qebaptore me zgarë me kapak apo pa kapak, është duke u inspektuar.

Nga 14 inspektime vjet, sivjet (për të njëjtën periudhë) kemi 795 inspektime. Një rritje modeste prej vetëm 5,578%.

Këto ditë, jeleku portokalli është bërë uniforma jonë kombëtare. Çdo ditë/natë sheh njerëz me helmetë në kokë dhe dosje inspektimi në duar, që shoqërojnë Kryeministrin apo ministrat. Të gjithë, krejt qeveria dhe administrata, në fushatë. Kjo është shenjë e një progresi të pastër si në estetikë ashtu dhe në retorikë.

Roskoveci, qytezë me më pak banorë se një lagje e Bathores, po përjeton mrekullinë. 86 inspektime në 75 ditë, mesatarisht më shumë se një në ditë. Konfirmohet se qyteza deri dje e qetë,  po pergatit aplikimin në UNESCO dhe do të jetë pjesë e fondit të “Trashëgimisë Botërore për Inspektimin.” Kandidatura mbështetet nga një dosje voluminoze, ku çdo inspektim ka selfit, video klipet dhe citate për “bashkëpunimin ndërinstitucional në terren” dhe “pasaportën” e BE-së më 2029.

Ndërkohë, Maliqi, që dikur ishte i famshëm për kënetën e tharë dhe sheqerin, sot konkurron për titullin “Kryeqyteti i Inspektimeve për frymë”. Me 107 inspektime të raportuara, banorët kanë filluar të ndihen të inspektuar edhe në ëndrra.

Duhet pranuar që ky progres që po përjetojmë në tre muajt e parë të këtij viti vjen pas një viti të errët, vitit 2024, bilanci i të cilit për të njëjtën periudhë ishte qesharak: vetëm 14 inspektime!  Skandal për të cilën kanë qepur gojën të gjithë.

Zëra dashakeqë (si gazetarët e Faktoje që i referohet ky shënim)  thonë se përmbytja që po ndodh me inspektime është pjesë e një strategjie politike për të ndikuar elektoratin në zonat me rezultat të ngushtë të zgjedhjeve të kaluara.

Çudia qëndron në faktin që opozita, që nuk numëron asnjë inspektim në CV-në e saj, kërkon edhe ajo të marrë vota.

Ndryshe nga radhët e tjera kur të hapen kutitë e votmit në orën 20:00 të datës 11 Maj, këtë radhë nuk do të numërohen votat, por vizitat në kantiere.

P.S.1. Nëse inspektimet janë shenjë e përparimit, atëherë Shqipëria s’ka nevojë më për reforma, mjafton një tabelë, një jelek fosforeshent dhe një fletë procesverbali. Vendi është në rrugën e duhur: i sapo inspektuar.

P.S. 2. Për këtë shënim shifrat janë marrë nga artikulli i Faktoje “lum inspektimesh në prag zgjedhjesh”

P.S.3 Vetëm AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) nuk bën inspektime

Advertisement