Connect with us

Politike

‘Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar’/ Rama uron në mënyrë të veçantë Fatos Nanon për ditëlindje

Kryeministri Edi Rama i ka uruar publikisht ditëlindjen paraardhësit të tij në krye të Partisë Socialiste, Fatos Nanos, i cili feston sot 73-vjetorin. Rama shkruan se Nano ka një meritë të madhe në rrugëtimin e stërgjatë të Shqipërisë drejt BE.

“Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet.

Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë. Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar”, shkruan Rama në postimin e tij.

Fatos Nano ka qenë një prej politikanëve më të spikatur shqiptar, ndërsa prej vitesh ka vendosur që të largohet nga skena publike, dhe është përballur disa herë me sfida shëndetësore. Ai drejtoi për shumë vite Partinë Socaliste, si dhe shërbeu si kryeministër nga viti 1997 deri në vitin 1998 dhe nga viti 2002 deri në vitin 2005.

Advertisement