Kosova
Reuten: BE-ja të jetë më e balancuar dhe t’ia largojë masat Kosovës
‘Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbinë për të ofruar bashkëpunim për sulmin terrorist në Banjskë.’ Kështu tha eurodeputeti holandez, Thijs Reuten. Sipas tij, Serbia është e interesuar të mbajë të bllokuar negociatat me Kosovën, kurse Kosova është zotuar se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke folur për takimet e kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçic, me liderë të vendeve evropiane, në Bruksel dhe I pyetur për faktin BE-ja ka bërë një propozim të ri për një model për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Thijs Reuten tha se para së gjithash, ai nuk e di se cila është përmbajtja e propozimit, dhe se ndoshta në bisedime është përfshirë krijimi i Asociacionit të komunave. “Situata është e komplikuar, sigurisht tani më shumë, me ngjarjet në fund të shtatorit në Banjskë, të cilat ende nuk janë trajtuar siç duhet as nga Bashkimi Evropian dhe as nga qeveria serbe. Kështu që unë e kuptoj se është e vështirë për Kurtin. Megjithatë, mendoj se është mirë të ulesh rreth tryezës dhe në një farë mënyre të përpiqesh që procesi i normalizimit të rifillojë”. Teksa ka vite që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog, i cili me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ka prodhuar rezultate, I pyetur nëse duhet të ndërrohet formati i dialogut, ndonëse një gjë e tillë është kundërshtuar nga Gjermania, eurodeputeti holandez tha se ai ka qenë shumë kritik gjatë gjithë procesit, veçanërisht edhe për rolin e Bashkimit Evropian. “Mendoj se Bashkimi Evropian, në veçanti në muajin e fundit, ka qenë shumë i butë me qeverinë serbe dhe ka qenë tepër i ashpër me Qeverinë e Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse Parlamenti Evropian, pjesërisht për shkak të insistimit tonë brenda Parlamentit Evropian, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të jetë më i balancuar dhe të heq masat kundër Kosovës. Ajo që mungon është t’i thuash edhe qeverisë serbe, se duhet të bëjë një zgjedhje, nëse dëshiron të përparosh në rrugën evropiane, sepse ajo që shihet në praktikë është se Serbia ka një interes të madh për ta bllokuar procesin. Sa herë që jemi afër ndonjë përparimi, Serbia tërhiqet. Ose nuk nënshkruajnë ose nuk angazhohen, ose bëjnë diçka tjetër për të destabilizuar sërish situatën. Dhe kjo është problematike” . Thijs Reuten theksoi gjithashtu se nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk mungon angazhimi. Kosova është zotuar se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe asociacionin. Gjithashtu Kosova ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim dhe sipas tij, përveç dialogut, përveç normalizimit me Serbinë, Kosova gjithashtu ka nevojë, sepse e meriton, një përgjigje nga Bashkimi Evropian. “Nëse BE-ja po përpiqet në një marrëveshje, ku njëra palë refuzon qartë të nënshkruajë ose të angazhohet në këtë marrëveshje për arsye të brendshme politike dhe pastaj një nga komisionarët evropian shkon te Vuçiç dhe thotë, le të shkojmë përpara duke i dhënë një grant tjetër nga Bashkimi Evropian, mendoj se ky është sinjali i gabuar. Kështu që po, mendoj se ka shumë për të diskutuar ndërmjet Serbisë dhe BE-së përveç dialogut dhe mendoj, se dialogu është një pjesë e rëndësishme, por jo gjithçka. Kështu që unë mendoj se edhe Kosova, dhe Serbia duhet të kenë një marrëdhënie individuale me Bashkimin Evropian dhe të përpiqen gjithashtu të vendosin hapa në këtë drejtim.”