Connect with us

Bota

Rifillon gjyqi penal ndaj ish-presidentit Trump, çfarë pritet të ndodhë

Të martën rifillon gjyqi penal në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump. Rikthehet në bankën e dëshmitarëve bankieri Gary Farro, i cili luajti rol për pagesën prej 130 mijë dollarësh ndaj një aktoreje të filmave pornografikë që pretendonte se kishte patur një natë romantike me ish-presidentin.

Zoti Farro, ish-drejtor në bankën ‘First Republic Bank’ në Nju Jork, përshkroi në përfundim të dëshmisë së tij javën e kaluar se si pati krijuar një llogari në tetor 2016 për Michael Cohen-in, ish-avokat dhe ndërmjetës politik për zotin Trump.

Zoti Cohen ka thënë se e ka përdorur atë llogari për të bërë pagesat për të fituar heshtjen e aktores Stormy Daniels, dy javë përpara zgjedhjeve të vitit 2016, dhe për t’u siguruar që ky informacion nuk do t’i bëhej i ditur votuesve.

Zoti Farro tha se zoti Cohen pati vënë si kolateral vlerën e shtëpisë së tij për të marrë fondet për llogarinë e re. Zoti Cohen ka thënë se e bëri këtë veprim pa ia bërë të ditur bashkëshortes së tij. Ai është dënuar tashmë për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave zgjedhore me pagesat për zonjën Daniels dhe pritet të shërbejë si dëshmitari kryesor kundër ish-shefit të tij.

 

 

Pagesa për heshtjen është në epiqendër të akuzave në gjyqin e parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan. Prokurorët e akuzojnë zotin Trump për falsifikimin e 34 dokumenteve të biznesit në kompaninë e tij të pronave të patundshme, ‘Trump Organization’, për të fshehur rimbursimin e fondeve që zoti Cohen i pagoi zonjës Daniels që ajo të mos fliste. Ish-presidenti Trump thotë se pagesat ishin për shërbime ligjore të kryera nga zoti Cohen.

Zoti Trump i mohon pretendimet e zonjës Daniels se ata patën marrëdhënie seksuale gjatë një turneu golfi rreth një dekadë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Donald Trump është tashmë kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane për zgjedhjet e këtij viti. Ai përballet gjithashtu me tre padi të tjera gjyqësore. Në dy prej tyre ai akuzohet se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve që i humbi ndaj rivalit Joe Biden katër vjet më parë. Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat.

Për shkak të sfidave ligjore të ngritura nga avokatët e tij ndaj tre padive të tjera, gjyqi në Nju Jork mund të jetë ndoshta i vetmi që zhvillohet përpara zgjedhjeve që mbahen në nëntor.

Dëshmitë në gjyq filluan javën e kaluar. Ndër dëshmitarët ishte David Pecker, ish-botues i revistës tabloid “National Enquirer” dhe mik i hershëm i zotit Trump. Ai i tha jurisë prej 12 anëtarësh gjatë katër ditëve të dëshmisë së tij se pati rënë dakort gjatë një takimi në gusht 2015 në Kullën Trump në Nju Jork me zotin Trump dhe zotin Cohen, se do të bënte çfarë të mundej për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën. Prokurorët i referohen takimit si “konspiracioni i Kullës Trump”.

Zoti Pecker tha se publikoi artikuj në mbështetje të zotit Trump dhe nxiti artikujt negativë për kundërshtarët e tij.

Zoti Pecker tha se i pagoi 150 mijë dollarë modeles së revistës Playboy, Karen McDougal, për të siguruar mospublikimin e pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump në vitin 2006. Zoti Trump e ka mohuar marrëdhënien, por zoti Pecker dëshmoi se zoti Trump e quajti në një moment zonjën McDougal “një vajzë të mirë”. Pasi u bë president, zoti Pecker tha se zoti Trump e pyeti për gjendjen e saj, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017.

Gjithashtu, zoti Pecker tha se i pagoi 30 mijë dollarë një roje në hyrjen e Kullës Trump për të siguruar heshtjen e tij për pretendimin fals se zoti Trump kishte një fëmijë jashtë martese.

Prokurorët nuk kanë bërë të ditur se kush do të jetë dëshmitari i tyre pas zotit Farro. Gjyqi mund të zgjasë edhe pesë javë të tjera përpara se juria të mund të fillojë shqyrtimin e çështjes. Dëshmitë janë planifikuar të bëhen katër ditë në javë, me përjashtim të të mërkurave, por u anuluan për këtë të hënë.

Ndërkohë, gjykatësi që mbikëqyr çështjen, Juan Merchan, vendosi gjithashtu të enjten se zoti Trump ka shkelur urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi vendosi gjobën 9 mijë dollarë ndaj ish-presidentit për shkelje nëntë herë të urdhërit të gjykatës, si dhe urdhëroi heqjen e mesazheve në rrjetin social Truth Social, si dhe nga faqja në internet e fushatës elektorale të zotit Trump, deri në orën 2:15 të pasdites.

Ish-presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje dhe pretendon se urdhri shkel të drejtën e tij të shprehjes dhe aftësinë për t’u mbrojtur, ndërsa po kandidon sërish për president./Voa

Advertisement