Connect with us

Aktualitet

Rikthehet sigurimi i detyrueshëm i banesave ndaj tërmeteve

Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të ofrohet nga vetë shteti. Përmes projektligjit të hedhur në Konsultim nga Ministria e Financave i hartuar në Bashkëpunim me Bankën Botërore në nenin 14 thuhet se do të ngrihet ‘Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet’.
Ky fond krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku Autoriteti Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Fondit, është ministria përgjegjëse për financat.
Administratori i fondit do të emërohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës pas një procedure përzgjedhëse.
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre. Ndërsa Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.
Ata qytetarë që refuzojne të bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të kenë disa penalitete.
“Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve në zbatim të këtij ligji, i nënshtrohen masave shtrënguese si më poshtë:
Nuk marrin shërbime kadarstale;
Nuk marrin shërbime nga e-albania;
Nuk marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.
Në projektligj dhe relacion ende nuk ka një përllogaritje për ofrimin se sigurimit që do paguajnë qytetarët apo dhe bizneset që posedojnë një pronë.
“Metodologjia e përcaktimit të primit, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Fondit për Tërmetet pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare”, thuhet në projektligj.
Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mbulon dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së përcaktuar në policë.

Advertisement