Connect with us

Kosova

Rikthimi i Trump, fatkeqësi për Kosovën/ Toby Vogel paralajmëron…

“Rikthimi i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, marrë për bazë edhe trashëgiminë kontraverse të ish-Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, do të ishte një “fatkeqësi” për kontinentin evropian dhe rajonin, posaçërisht për Kosovën. Një mandat i dytë i Trump, gjithmonë nëse ai  fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, kombinuar nga një fitore paraprake të së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në muajin qershor, mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve” –  Ky është vlerësimi i një prej njohësve më të spikatur të zhvillimeve në politikën e jashtme, Toby Vogel, i cili, duke folur për dilemën e (pa)sigurisë në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, shprehu drojën se viti i ri 2024 do të sjellë “surpriza të këqija” për kontinentin evropian në përgjithësi.

Në sytë e një prej vëzhguesve eminentë të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, as perspektiva e këmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve nuk mund të mbetet e izoluar, sidomos nëse Donald Trump fiton zgjedhjet e nëntorit dhe Richard Grenell zgjidhet Sekretar i Departamentit të Shtetit.

Në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, veçërisht përsa i përket rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ai konsideron se viti 2024 do të jetë edhe më i vështirë për procesin e dialogut.

Vogel gjithashtu vlerëson se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd nën kujdesin e Bashkimit Evropian prej kohësh vijëzohet pak nga pak, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja. Madje, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, sipas tij, nuk është më çështje e nivelit të lartë për BE-në, kryesisht për shkak të sfidave të tjera në skenën ndërkombëtare. Përsa i përket kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës në bazë të planit franko-gjerman, Vogel vlerëson se njohja e synuar de facto nuk e zgjidhë problemin midis dy fqinjëve armiqësorë, ngase sipas tij, njohja de facto do ta linte Kosovën në “harresë ligjore” për vitet në vijim dhe rrjedhimisht do të vazhdonte status quo-ja.

“Dialogu në formën e vet origjinale ka vdekur prej shumë vitesh apo dhe ka humbur rrugën, dhe kjo jo vetëm për shkak të Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Iniciativa franko-gjermane ka konfirmuar uljen e ambicieve, një gabim kyç që Berlini tani duket se e ka njohur – prandaj edhe janë ripërtërirë bisedimet për “njohje de facto“. Megjithatë, nuk shoh që shtetet anëtare të këmbëngulin për rinisjen e dialogut, jo përpara zgjedhjeve evropiane në qershor. Aktualisht, dialogu thjesht nuk është një çështje e nivelit të lartë për askënd në BE” – deklaroi Toby Vogel

Advertisement