Pinknews
Rita Ora zbulon të vërtetën e sherrit me Rihannën
Rita Ora ka folur për thashethemet për një grindje me Rihanna-n në një intervistë që ka dhënë së fundmi. Të dyja artistet ishin pjesë e të njëjtës shtëpi diskografike “Roc Nation” dhe raportimet për një mosmarrëveshje mes tyre kanë qarkulluar prej vitesh.
Në vitin 2015, Ora paditi labelin që të shkëpuste kontratën e saj duke pretenduar se asaj i ishte lejuar të publikonte vetëm një album, pavarësisht se kishte regjistruar më shumë këngë. Roc Nation kundërshtoi, përpara se të dyja palët të arrinin një zgjidhje në maj 2016.
“Pse nuk po dilte muzika?”, e pyeti gazetari. “Nuk e di”, u përgjigj Ora. “Unë kam incizuar në atë studio për dy ose tre vjet rresht. Ishte një moment i tërë që do të ndodhte, unë xhirova një klip dhe ata e larguan atë. U ndjeva vërtet e zhgënjyer”, u shpreh këngëtarja.
“Është raportuar se e gjithë muzika i shkonte Rihannas – ajo ishte padyshim artistja më e njohur – ajo po refuzonte fillimisht të gjithë muzikën dhe më pas do të merrte këngët që ishin kompozuar në studio”, iu drejtua më pas gazetari Louis Theroux.
“Nuk mund të flas në emër të njerëzve të tjerë, por mendoj se publikisht ata gjithmonë i vënë femrat kundër njëra-tjetrës. Unë nuk kam qenë gjë tjetër veçse një fanse dhe gëzoj respekt për të dhe do të jem gjithmonë respektuese ndaj saj”, tha më tej Rita Ora.