Kosova
Rode i vë vulën/ Deklarata e fortë e ambasadorit gjerman
“Bojkotimi i parlamentit të Kosovës nga deputetët serbë nuk është një mënyrë për të treguar se ata ndihen si në shtëpinë e tyre. Kosova është shtet i pavarur, ne mbështesim integrimin e saj në strukturat e BE-së. Kosova është këtu për të qëndruar dhe ju jeni pjesë e kësaj shoqërie, nuk mund të jeni në dy karrige” – Kështu tha Jern Rode, në Prishtinë, gjatë një interviste
I pyetur nëse tani ka ardhur koha për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe, deklaroi:
“Po. Ky është një obligim i Kosovës nga viti 2013 dhe 2015, i cili ende nuk është realizuar. Kosova thotë se është e gatshme ta bëjë sipas marrëveshjes së fundit që u propozua nga presidenti francez, kancelari gjerman dhe kryeministrja italiane, por sic e dini, Serbia deri më tani ka refuzuar ta nënshkruajë dhe për momentin jemi në ngërç. Lajçak po punon shumë për ta tejkaluar këtë situatë, sepse na duhet një zgjidhje që të gjitha institucionet paralele të integrohen dhe që serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të jenë pjesë e shoqërisë. Jo vetëm ata, por të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre, si dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane, pasi Kosova dhe Serbia, i përkasin BE-së” – deklaroi Jern Rode
Duke komentuar deklaratën e përfaqësueses se PE-së Viola von Kramon se përfaqësuesit e komunitetit serb i kanë thënë asaj se ndjehen si qytetarë të dorës së dytë, ambasadori gjerman potencoi:
“Mendoj se qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për t’i afruar serbët e Kosovës, por pres që të punohet në ketë drejtim. Serbët e Kosovës janë në një pozitë të vështirë, të përfshirë mes kërkesave nga Beogradi dhe presionit nga Kosova, dhe kjo është një situatë që duhet ta kapërcejmë. Prandaj duhet të kemi një dorë ndihmëse nga qeveria e Kosovës, por edhe që komunitetet pakicë duhet të pranojnë të jetojnë në Kosovë, e jo si pjesë e Serbisë”