Connect with us

Kosova

Rohde: Kosova nga tani do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e vet

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet nga tani në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA).

Kosova është përfaqësuar në CEFTA përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

“Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u”, shkroi Rohde në X.

CEFTA synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve.

Ai tha se ky është “hap i madh” drejt përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në këtë organ rajonal.Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?

Ky ndryshim, të cilin Kosova ka kohë që e kërkon, erdhi dy ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta heqë ndalesën ndaj importit të mallrave serbe në pikëkalimin në Merdare.

Kosova u përball me trysni në javët e fundit për ta hequr ndalesën ndaj mallrave serbe, posaçërisht nga Gjermania.

Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton marrëveshjen CEFTA-s dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, qëndroi disa herë në Kosovë në muajt e fundit, ku paralajmëroi se ndalesa e mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.Sarrazin në Prishtinë: Tregu rajonal do të mundësonte zhvillim

Pas kërkesës së zyrtarëve kosovarë për ndryshimin e emrit, Gjermania ofroi një “zgjidhje” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës në CEFTA do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën kur njoftoi për heqjen e ndalesës ndaj mallrave serbe, se pret që Kosova në takimin e radhës të përfaqësohet me emrin e vet.

Shtetet anëtare të CEFTA-s janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Rumania, Bullgaria dhe Kroacia u tërhoqën nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE.

Advertisement