Kosova
Rokada politike e unionit, Pahor drejt postit emisar, Lajçak merr arratinë
Emërimi i Borut Pahor-it, ish-president i Sllovenisë, si i Dërguar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po konsiderohet pozitiv për shkak se i njëjti e njeh kontekstin e problemit në mes palëve, përsëri shprehen skeptik për rezultatin që mund të arrijë ai në këtë drejtim, për shkak se konsiderojnë qe progresi i dialogut varet nga vullneti i liderëve të vendeve respektive, përkatësisht Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it.
Raportimin për emërimin eventual të Pahor-it në krye të dialogut Kosovë-Serbi, e bëri të martën gazeta sllovene, Delo. Sipas saj, Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet në këtë pozitë, gjithmonë nëse Miroslav Lajçak, largohet.
Nga kabineti i kryeministrit slloven kanë shprehur mbështetjen e pakushtëzuar Pahor-it në kandidimin e tij për pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Sipas ish-Ministrit për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, emërimi i Pahor-it si ndërmjetësi i dialogut nuk do të ndryshojë rrjedhën e dialogut, përderisa në këtë proces janë protagonistë Kurti dhe Vuçiç.
Problemi thelbësor, sipas tij, “është tek mungesa e vullnetit dhe guximit tek Kurti dhe Vuçiç qoftë për të arritur marrëveshje përfundimtare, apo së paku për të zbatuar Marrëveshjen Bazë, të cilën e kanë pranuar të dy, porse tani asnjëri nuk do që ta zbatojë”.
Ndërsa, për ish-ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lama, vënia e Pahor-it në krye të dialogut do të ishte një zgjedhje e mirë, kjo për shkak të vendit prej nga ai vjen, por edhe për shkak të njohjes së kontekstit të problemit.
Por, megjithatë sipas saj, pa marrë parasysh personin që ndërmjetëson procesin, askush nuk mund të zgjidh konfliktin nëse nuk ka vullnet nga palët.