Sport
‘Rolls-Royce’ për të gjithë/ Triumfi historik i Arabisë shpërblehet
Triumfi historik shpërblehet! Princi saudit premton t’i dhurojë çdo lojtari nga një ‘Rolls-Royce’ pas fitores ndaj Argjentinës…
ARABIA SAUDITE – Futbollistët e Arabisë Saudite, që drejtohen nga francezi Herve Renard, mahnitën botën, teksa mundën 2-1 me përmbysje në Lusail ‘albicelestët’ e Argjentinës, që konsideroheshin si favorite për Kupën e Botës në Katar.
Kjo ishte edhe fitorja më e madhe në historinë e futbollit saudit. Performanca e tyre i bëri përshtypje princit Mohammed bin Salman Al Saud, i cili do të harxhojë nga xhepi i tij, as më pak dhe as më shumë se sa 13 milionë euro. Sipas ‘Malay Mail’, të 26 anëtarëve të kombëtares saudite do t’u dhurohet nga një Rolls-Royce Phantom. Nuk dihet se cilin model do të marrin lojtarët, por modelet bazë të ‘Rolls-Royce Phantom’ kushtojnë 422.103 mijë euro.
Në vitin 1994, Saeed Al-Owairanit iu dhurua një ‘Rolls-Royce’, pasi shënoi kundër Belgjikës në Kupën e Botës. Sakaq Princi Salman të mërkurën e ka shpallur festë kombëtare për popullin saudit, pas triumfit ndaj Argjentinës.
Arabia Suadite, të shtunën, në orën 14:00, do të luajë kundër Polonisë, që ka vetëm një pikë pas barazimit 0-0 me Meksikën. Skuadra e Herve Renardit është kryesuese e grupit C me tri pikë pas një ndeshje të zhvilluar.