Connect with us

Aktualitet

Romët e Shqipërisë denoncojnë mungesën e progresit në premtimin e qeverisë për integrim

Në korrik të vitit 2024 do të bëhen plot pesë vjet që kur vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një zotim të përbashkët në qytetin perëndimor polak të Poznanit për të garantuar “barazi dhe integrim të plotë” të romëve, duke përfshirë rritjen e përfaqësimit të tyre në sektorin publik.

Megjithatë, në Shqipëri, e cila ishte një nga nënshkruesit, organizatat rome thonë se nuk ka pasur përparim të prekshëm, sepse nuk ka pasur vullnet politik për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative.

“Nga deklarata e Poznanit ka mbetur vetëm nënshkrimi i kryeministrit dhe angazhimi i qeverisë shqiptare për ta zbatuar atë”, tha Gentian Sejrani, kreu i “Drejtësia Sociale”, e cila ofron mbështetje ligjore për komunitetet kryesisht rome dhe egjiptiane.

“Në fakt, nuk ka pasur vullnet politik për ta zbatuar atë, pasi që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë ndryshim ligjor në lidhje me bazën ligjore për punësimin apo për statusin e nëpunësit civil në sektorin publik.”

“Që kjo të ndodhë… duhet të ketë një përmirësim në kuadrin ligjor duke përcaktuar diskriminimin pozitiv për anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, qoftë si punonjës të administratës civile apo për të marrë statusin e punonjësit civil.”, tha Sejrani për BIRN.

“Nëse nuk ka ndryshim ligjor, do të thotë se nuk ka vullnet për ta zbatuar atë.”

Angazhime të pazbatuara

Romët në Shqipëri prej kohësh përballen me probleme përsa i përket punësimit, arsimimit dhe strehimit. Sipas deklaratës së Poznanit, qeveritë u zotuan të “rrisin shkallën e punësimit të romëve në sektorin publik në shkallën proporcionale të pjesëmarrjes së romëve në popullatën e përgjithshme” dhe “të rrisin shkallën e punësimit midis romëve në të paktën 25 për qind”.

Qeveritë gjithashtu u angazhuan, aty ku është e mundur, të legalizojnë të gjitha vendbanimet joformale rome ose t’u sigurojnë atyre “strehim të përhershëm, të denjë dhe të përballueshëm” dhe të shtojnë regjistrimin dhe shkallën e përfundimit arsimit fillor të romëve në 90 për qind dhe, në terma të arsimit të mesëm, në 50 për qind.

Më tej, ato u zotuan të garantojnë që të gjithë romët të regjistrohen në regjistrat civilë dhe t’i mbrojnë ata nga diskriminimi. Por të paktën në rastin e Shqipërisë, asnjë nga angazhimet nuk është zbatuar, tha Romina Sefa, drejtore ekzekutive e organizatës për të drejtat e romëve Qendra për Advokim Social.

“Përsa i përket deklaratës së Poznanit, shumica e angazhimeve të ndërmarra ende nuk janë zbatuar apo buxhetuar nga institucionet përgjegjëse”, tha Sefa për BIRN. Ajo tha se “asnjë përpjekje serioze” nuk ishte bërë nga autoritetet përgjegjëse për të rritur përfaqësimin e romëve në sektorin publik. Romët vazhdojnë të jenë gjithnjë e më shumë të përjashtuar nga proceset politike dhe vendimmarrëse.

Në një konferencë në Tiranë në prill, Etleva Sheshi, drejtoreshë e Drejtorisë së Politikave të Përfshirjes Sociale dhe Barazisë Gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha se për sa kohë që aplikantëve nuk u kërkohet të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike gjatë procesit të rekrutimit, është e pamundur të kemi të dhëna të sakta se sa romë janë të punësuar në sektorin publik.

Sipas aktivistëve romë, gjatë dy viteve të fundit vetëm 10 romë aplikuan për punë në sektorin publik të Shqipërisë. Asnjë nuk u pranua. Robert Gajda, Komisioneri i Shqipërisë për Mbrojtjen nga Diskriminimi, tha se diskriminimi ishte i dukshëm nëse organet publike e pranojnë apo jo atë.

“Edhe pse organet publike thonë se nuk kanë të dhëna për përkatësinë etnike të aplikantëve, ata ende bëjnë dallime për shkak të njohjes joformale që gëzojnë”, tha Gajda. Sfidat ligjore ndaj një diskriminimi të tillë janë pa ndryshim të suksesshme, shtoi ai. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk iu përgjigj pyetjeve se sa romë janë të punësuar në sektorin publik.

Dyshime për censin e popullsisë

Kritikët thonë se diskriminimi fillon me nën numërimin e romëve në censin e popullsisë. Censi i fundit u krye në vitin 2023, por rezultatet ende nuk janë shpallur; të gjitha pakicat në Shqipëri sfiduan rezultatet e censit të mëparshëm të popullsisë në vitin 2011, i cili zbuloi se pakicat etnike përbëjnë më pak se 1.5 për qind të popullsisë.

Duke nën numëruar pakicat, kritikët thonë se shteti është në gjendje të kufizojë sasinë e parave që duhet të ndahen nga buxheti për ato komunitete. Rreth 12,000 njerëz u regjistruan si romë ose egjiptianë në censin e vitit 2011, megjithatë çdo vit që nga viti 2019, mesatarisht rreth 11,700 fëmijëve romë dhe egjiptianë u janë dhënë libra shkollorë falas nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, sipas përgjigjes së ministrisë ndaj një kërkese për të drejtë informimi të paraqitur nga BIRN në 2021.

Nëse shifrat e reja të censit ndryshojnë sërish në mënyrë dramatike nga ato të Ministrisë së Arsimit, “ne do ta kontestojmë këtë gjë dhe kemi argumente dhe prova zyrtare”, tha Sejrani./Reporter.al

Advertisement