Kronike
Rrëfimi i Admir Tafilit: Me Bajrin u zumë për 20 mijë euro borxh që mbeti tek Duli
Admir Tafilaj, i dënuari tre herë me burgim të përjetshëm nga Drejtësia Shqiptare, është pyetur nga prokuroria e posaçme SPAK, lidhur me konfliktin që ka pasur brenda në burg Behar Bajri me Genc Tafilaj, vëllain e Admirit.
Pyetja e njërit prej eksponentëve më të njohur të botës së krimit në Shqipëri është bërë në 11 Prill 2024 në ambientet e burgut, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Tafilaj, ka konfirmuar dëshminë e Gencit të dhënë disa ditë para tij, duke treguar se shkak i konfliktit me Behar Bajrin është bërë një borxh prej 20 mijë euro, që njerëzit e Beharit në Shkodër kishin mbetur në një nga Pikat e basteve të Dorian Dulit.
Sipas Admir Tafilaj, ky borxh ka shërbyer dhe si shkëndija e lindjes së konfliktit mes vëllezërve Tafilaj dhe Behar Bajrit, por edhe Dorian Dulit, ku Behari synonte dhe bënte plane të errëta për ti ekzekutuar.
Në dosjen “Metamorfoza” të siguruar nga “Ora News”, tregohet qartë se për të ulur gjakrat dhe zgjidhur konfliktin mes dy palëve të njohura në Shkodër, Admir Tafilaj, ka negociuar dhe me vëllain e madh të Beharit, shtetasin Enver Bajri.
Megjithëse përpjekjeve nga burgu i Admir Tafilaj për të pajtuar palët dhe kthyer shumën prej 20 mijë euro dhe negociatat me Enver Bajrin nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Madje Admir Tafilaj i kërkon Enverit që të ndërhyjë dhe zgjidhë këtë konflikt, pasi kjo ka ndikuar që të prishë dhe marrëdhënien e tij me vëllanë, Admir.
Kjo ka çuar palët që edhe kur kanë dalë nga burgu, si Behar Bajri dhe Genc Tafilaj, të mbajnë pozicione të ftohta dhe ti ruhen njëri-tjetrit. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Dorian Duli, i cili ka marrë masa për një sulm të armatosur nga Behar Bajri.
Ndër tjera i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili ka konfirmuar konfliktin mes Behar Bajrit dhe Dorjan Dulit si dhe faktin se Behar Brajoviq alias Bajri, ka dashur të vrasë Genc Tafilin dhe Dorjan Dulin.
Njohja mes Admirit dhe Beharit është e hershme, dhe për shkak të kësaj miqësie së bashku kanë qëndruar me netë të tëra në shtëpitë e njëri-tjetrit.
…dua të them se unë këtë person (Behar Brajoviq) e kam njohur që në vitin 1996. Kemi qenë të afërm me njëri-tjetrin kemi shkuar e qëndruar me netë të tëra në shtëpitë e njëri-tjetrit, këto marrëdhënie kanë qenë të afërta deri në vitin 2010 mesa më kujtohet, kohë në të cilën kemi qenë në të njëjtin sektor në burgun e Lezhës. Më pas me këtë shtetas kam bërë debat, për shkak të një borxhi që ky pra, Behari, nuk i njohu shokut tim Dorian Duli. Vëllai im Genc Tafilaj ka takuar nga afër shtetasin Enver Bajri të vëllain e Beharit, ku i ka kërkuar shumën e borxhit të lënë në pikat e basteve që administroheshin nga shoku ynë Dorian Duli, me sa më kujtohet shumë mund të ketë qenë 20-25 000 dollarë apo euro, nuk jam i qartë. Nisur nga këto biseda të mësuara si nga vëllai im Genci ashtu edhe nga vetë Dorian Duli, se njerëzit e Behar Brahoviç (Bajri) ranë dakord të shlyenin me këste këto borxhe, që kujtoj se mund të jenë dhënë vetëm njëherë rreth 1000 dollarë amerikanë. Më vonë kam mësuar se Dorin Duli, ka shkuar edhe ja ka kërkuar edhe Sokol Dulit, i cili ishte menaxher i basteve të Dorit, ky i fundit nuk e mori përsipër kthimin e kësaj shume.
Debatet për kthimin e kësaj shume i kam bërë në burgun e Lezhës edhe ku jam prishur përfundimisht me atë pra, Behar Bajri. Për shkak të afrimitetit që kishte me Dorian Dulin me Gencin, nga ky i fundit kam mësuar edhe për faktin që Behari kërkonte të më dëmtonte edhe Dorian Dulin, vetëm sepse ishte lidhje e jona. Genci, që në këtë moment më ka mbajtur mëri edhe mua për shkak të Beharit, dhe kujtoj që këtu unë kam kontaktuar edhe me Enver Bajrin, ku i kam kërkuar që të kthejë borxhet e lëna nga njerëzit e tyre në pikat e basteve të Dorit, sepse po më vendosnin në debate edhe me vëllain tim. Dua të shtoj se Genci më ka thënë disa herë se Behari është shpreh në burg apo edhe jashtë se Behari do që të më dëmtojë apo godas mua. Genci edhe pasi është liruar në vitin 2017 më ka thënë që ruhet nga Behari e njerëzit e tij se duan të më bëjnë dëm. Po ashtu edhe Dori me telefonata apo edhe në takime që kam pasur me të si në burgun e Lezhës ashtu edhe të Elbasanit në takimet që kam pasur me të, të cilat mund të verifikohen në regjistra…”.
/Ora News