Kronike
Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, shtyhet seanca ndaj Dritan Rexhepit

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj Dritan Rexhepit, Aldo Majnishtës, Gentian Funiqit, Martin Beltas, Korado Gështenjës, Artan Doçaj dhe Geraldo Martinit. Sot pritej të dëshmonte Festim Bexhdili, i cili është gjithashtu është marrë i pandehur për një procedim të lidhur. Bexhdili është dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar të vitit 2020.
I dënuari, Bexhdili ka dhënë pëlqimin e tij për t’u pyetur për këtë çështje, por seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të Gentian Funiqit, Henrik Ligori. Seanca e radhës do të mbahet më 16 prill në orën 14:00.
I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz mbërriti në vendin tonë mesditën e 8 janarit, pasi u ekstradua nga Turqia. Pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit u transferua në burgun ‘313’. Rexhepi akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me shtetasit Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht: për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

