Connect with us

Bota

Rrëshkitja e dherave në Brazil, 46 viktima dhe…

Është rritur në 46 numri i personave që kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin e Sao Paulo-s të Brazilit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga zyrtarët e rajonit Sao Paulo thuhet se bilanci si pasojë e shirave intensivë po rëndohet gjithnjë e më shumë. Si pasojë e përmbytjeve deri më tani kanë humbur jetën 46 persona ndërsa 40 të tjerë llogariten si të zhdukur. Punimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pandërprerë.

Në gjendje të rëndë janë 7 prej personave që vazhdojnë trajtimin në spitalet rajonale të Departamentit të Shëndetësisë. Në një deklaratë nga Mbrojtja Civile thuhet se shirat intensivë do të vazhdojnë dhe qytetarët paralajmërohen që të jenë të kujdesshëm.

Bëhet e ditur se rreth 2.500 persona strehohen nëpër shkolla dhe institucione të shoqërisë civile.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, në një postim nga llogaria e tij në Twiter njoftoi se ka vizituar rajonin e fatkeqësisë. “Do të bashkohemi me të gjitha njësitë e shtetit dhe me solidaritet social do të kujdesemi për të plagosurit. Do të kërkojmë të zhdukurit. Rrugën, lidhjet e energjisë dhe telekomunikimit në rajon do t’i bëjmë si në gjendjen e mëparshme”, tha ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil në një postim nga llogaria e tij në Twiter i shprehu ngushëllime qeverisë braziliane për jetët e humbura në përmbytje dhe rrëshqitjet e dheut. “Në emër të qeverisë së Nicolas Maduro-s përcjell ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Dëshiroj të njoftoj se ndodhemi në solidaritet me qeverinë e Brazilit”, tha ministri Gil.

Advertisement