Connect with us

Kosova

RREZIK konflikti në Kosovë, ushtria gjermane ngre alarmin

Forcat e Armatosura të Gjermanisë pasi njoftuan për zgjerimin e kapaciteteve operacionale në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), konsideruan se ekziston potenciali i përshkallëzimit të konfliktit në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht nga serbë.

“Për Gjermaninë, siguria dhe stabiliteti në Ballkan janë një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit në të gjithë Evropën. Kosova tashmë është zhvilluar pozitivisht në aspektin politik, por ka ende potencial për konflikt në veri të vendit” – thuhej njoftimin e ushtrisë gjermane.

Duke theksuar se mbi 200 ushtarë gjermanë janë dislokuar në Kosovë për të forcuar sigurinë dhe rendin publik pas thirrjes së NATO-s, në komunikatën e Bundeswehr nënvizohet ndër të tjera se Gjermania do të mbështesë edhe zhvillimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

NATO shtoi numrin e ushtarëve për shkak të situatës së paqendrueshme. Rreth 1 mijë ushtarë të forcave aleate në kaudër të KFOR-it zbarkuan në vend për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Advertisement