Connect with us

Kronike

Rrezikoi jetën e policëve/ 25 vjeçari kishte në makinë snajper me precizion të lartë, ishte nisur për vrasje

Orgest Mehi alias Orgest Shehaj, një 25 vjeçar nga fshati Fushë Kuqe i Kurbinit është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi ishte shpallur në kërkim për një episod të regjistruar gati dy vite më parë, ku u rrezikoi jetën dhe policëve që i kishin bërë postbllok.

Në muajin dhjetor 2023, ky shtetas rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, duke u larguar me shpejtësi, me automjetin në të cilin mbante një armë zjarri snajper me precizion të lartë, që dyshohet se ishte siguruar për të kryer vrasje.

Sot, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fokusi” gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

– Orgest Mehi, alias Orgest Shehaj, 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 09.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Më datë 18.12.2023, në Fushë Kuqe, Orgest Mehi alias Orgest Shehaj nuk i është bindur urdhrit të punojësve të Policisë në shërbim, për të ndaluar automjetin, dhe ka rrezikuar jetën e tyre, duke u larguar me shpejtësi, me automjet.

Më pas, gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas e kishte braktisur në fshatin Gurëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri snajper me precizion të lartë dhe fishek në fole, si dhe një çantë me municion luftarak për këtë armë. 25 vjeçari dyshohet se ishte nisur për të kryer vrasje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement