Ekonomi
Rrëzimi dhe ringritja e shpejtë e kredisë konsumatore
Kredia e re në tremujorin e tretë u rrit me 50%, ndërsa bankierët shprehen se kërkesa ka njohur rritje graduale dhe huadhënia po i afrohet vlerave të vitit të kaluar.
Kriza ekonomike që pasoi pandeminë e COVID-19 dhe masat kufizuese për përhapjen i dhanë një goditje të fortë prodhimit kombëtar dhe sidomos konsumit privat. Konsumi regjistroi rënie vjetore 7.6% në tremujorin e dytë të vitit, çka përfaqëson rënien më të fortë të dhjetë viteve të fundit. Kategoritë e konsumit të goditura më rëndë ishin shpenzimet për mallra afatgjatë dhe për shërbime.
Këto të fundit, përveç rritjes së pasigurisë, u ndikuan dhe nga mbyllja e detyruar e aktiviteteve. Të dhënat e tregtisë me pakicë për tremujorin e dytë treguan për rënie vjetore me 8.7% për mallrat joushqimore. Rënia e shpenzimeve për shërbime dëshmohet në rënien me pothuajse 39% të vlerës së shtuar në degën hotele, restorante, bare, transport dhe telekomunikacion. Kriza që shkaktoi pandemia u reflektua në rënien e besimit konsumator, që në tremujorin e dytë ra në pikën më të ulët historike të tij.
Në tremujorin e mbylljes, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, çka solli rënie të të ardhurave të disponueshme për familjet. Ky efekt u zbut vetëm pjesërisht nga subvencionet e qeverisë shqiptare dhe masat e tjera mbështetëse, përfshi moratoriumin e pagesave të kësteve të kredisë. Goditja e rëndë që pësoi konsumi sigurisht që krijoi efekte edhe në ecurinë e kredisë konsumatore, një produkt që në vitet e fundit ka ndjekur dhe mbështetur rritjen e konsumit në ekonomi.
Monitor/