Kronike
Rriten shpenzimet për Halloween
Nëse keni vënë re këtë vit më shumë përbindësha, rrjeta merimangash ose skelete në lagjen tuaj: nëpër lokale, dyqane, qendra tregtare, nuk jeni tw vetmit
Një kombinim faktorësh e ka shtyrë frymën e Halloween-it në nivele rekord edhe në një vend si i yni, i cili e ka festë të importuar. Në këtë situatë, shitësit me pakicë po korrin përfitime.
Shpenzimet për Halloween kanë arritur nivelet më të larta këtë vit, me shqiptarët që kanë shpenzuar për kostume, karamele, dekorime dhe sende të tjera të lidhura me Halloween. Dhe gjithçka kushton më shumë për shkak të inflacionit.
Këtë vit konsumatorët përballen me një Halloween ‘të hidhur’ pasi shpenzimet për ëmbëlsira ishin në rritje, pjesërisht e nxitur nga kërkesa, por edhe nga çmimet më të larta në mes të inflacionit të rritur të grupit të ushqimeve.
Sigurisht, inflacioni shtrihet praktikisht në të gjithë shportën e shpenzimeve që duhen, nga veshjet, ëmbëlsirat apo të tjera. Kujtojmë: Inflacioni në muajin shtator shënoi 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” patën rritje me 14,0%.
Shpenzimet e kostumeve janë komponenti i vetëm më i madh i shpenzimeve të Halloween, të rriturit veshin një kostum ose një pjesë të një kostumi, dhe një pjesë e mirë e tyre synojnë të blejnë një kostum për kafshët e tyre.
Për kafshët shtëpiake, kostumi kryesor është një kungull. Për secilin kostum, kostot nisin nga 1500 lekë, por ka e individë që zgjedhin vetëm një pjesë kostumi siç mund të jetë një maskë në kostot e 500-800 lekë.
https://www.youtube.com/watch?v=Vp4LKeCeJTM