Connect with us

Ekonomi

“Rritet sërish norma e interesit”, Sejko: Inflacioni do të ulet vitin e ardhshëm

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur që të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin e 3.25% nga 3% që ishte më parë.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh gjithashtu se rritemi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, por pritet ti rikthehet ritmet historike në vitet në vijim.

Sa i përket inflacionit, Sejko u shpreh se do vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektivin e BSH në gjysmën e dytë të 2024.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës. Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi – më së shumti – rënien e inflacionit të ushqimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës.

Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë vitit 2023 është diktuar në masën më të madhe nga rënia e inflacionit të importuar. Ky trend ka pasqyruar stabilizimin e përgjithshëm të çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, si dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë dy viteve të fundit. Paralelisht me të, edhe presionet e brendshme inflacioniste kanë ardhur në rënie, por ato vijojnë të mbeten relativisht të larta dhe të qëndrueshme. Në këto rrethana, ritmi i rënies së inflacionit erdhi në ngadalësim në tremujorin e tretë, ndërsa inflacioni bazë vijon të mbetet mbi objektiv.

Ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.2% në tremujorin e dytë, duke shënuar përmirësim krahasuar me periudhën paraardhëse. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se kjo trajektore rritjeje ka vijuar edhe në tremujorin e tretë. Rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e të ardhurave nga turizmi. Ajo është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorin e shërbimeve e të ndërtimit, ndërkohë që sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pasur një ecuri më të dobët.

Rritja e qëndrueshme e kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ajo është pasqyruar në përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit e të konsumatorit, në rritjen e vazhdueshme të punësimit, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit. Në këtë kontekst, pagat në sektorin privat u rritën me 15% në tremujorin e dytë, norma e papunësisë është pranë niveleve më të ulëta historike, ndërsa bizneset raportojnë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore. Kjo dinamikë sugjeron se – edhe pse në rënie – presionet e brendshme inflacioniste nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.

Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike po mbështetet nga rritja e kërkesës së huaj në segmente të caktuara të eksportit shqiptar, nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, nga besimi i përmirësuar i biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga ambienti ende stimulues monetar e financiar.

Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit gjatë vitit 2022 dhe kthimin e tij në një trajektore rënëse gjatë vitit 2023, si dhe ka mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare. Ai është shoqëruar me një rritje të përgjithshme të normave të interesit në tregun ndërbankar, tregun e letrave me vlerë të qeverisë, si dhe të depozitave e të kredive në lekë. Megjithatë, rritja e normave të interesit në Shqipëri është ndër më të ulëtat në rajon dhe kostot e kushtet e financimit mbeten ende stimuluese. Në veçanti, normat e interesit të kredive shfaqen të stabilizuara gjatë tremujorit të tretë, ose me tendenca rënëse në segmente të caktuara.

Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë norma pozitive rritjeje gjatë këtij tremujori, ndonëse ritmi i rritjes ka ardhur në ngadalësim. Ky ngadalësim pasqyron – në masën më të madhe – përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe reduktimin e nevojave të tyre për kapital qarkullues, ndërkohë që ritmet e rritjes së kredisë për investime dhe të kredisë për familje shfaqen relativisht të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, struktura e portofolit të kredisë po shfaq një orientim gjithnjë e më të madh drejt lekut, si pasojë e reduktimit të diferencës së normave të interesit dhe forcimit të kursit të këmbimit, ndërsa cilësia e këtij portofoli mbetet e lartë, sikundër ilustrohet nga nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme. Këto zhvillime sugjerojnë se sektori bankar mbetet i gatshëm dhe i aftë t’i përgjigjet me financim kërkesave të sektorit privat për zgjerimin e investimeve, për rritjen e konsumit dhe për blerjen e banesave.

Paralelisht me këto zhvillime, kursi i këmbimit të lekut ka shfaqur një qëndrueshmëri në rritje gjatë muajve të fundit, ndërsa tregu valutor ka funksionuar i qetë dhe me parametra aktiviteti normale. Kjo ecuri sugjeron stabilizimin e raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë rreth niveleve aktuale të kursit.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende do të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Aktiviteti ekonomik pritet të vijë në rritje gjatë horizontit afatmesëm, duke ndihmuar rritjen e punësimit e të pagave, si dhe duke mbështetur shëndetin e bilanceve financiare të bizneseve e familjeve. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, si pasojë e kontekstit ekonomik botëror dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, por ai pritet t’i rikthehet ritmeve të tija historike në vitet në vijim.

Paralelisht me të, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se përmbushja e këtij parashikimi kërkon një reagim të politikës monetare, për të mundësuar reduktimin e mëtejshëm të presioneve të brendshme inflacioniste.

Së fundi, parashikimet tona sugjerojnë se treguesit kryesorë të ekuilibrave të brendshëm e të jashtëm të vendit: shëndeti i sektorit bankar, borxhi publik dhe borxhi i huaj i vendit, do të mbeten të qëndrueshëm ose do të vijnë në përmirësim.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 3.25%;

të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 4.25%;

të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 2.25%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Ai faktorizon nevojën për një rol më aktiv të politikës monetare në drejtim të balancimit të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, përkundrejt pritjeve për një ecuri më të stabilizuar të kursit të këmbimit dhe një politike fiskale më neutrale në horizontin afatmesëm. Në këtë kontekst, ai i shërben ruajtjes së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, garantimit të stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se ky vendim ishte konsistent me komunikimet tona të mëparshme, si dhe vijon të mbajë qëndrimin e përgjithshëm të politikës monetare në pozita stimuluese.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës thekson se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart. Në këtë kontest, ai mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit”, tha Sejko.

Advertisement