Kosova
Rruga e Serbisë drejt BE-së, e kushtëzuar 100% nga rruga e Kosovës në OKB

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme I Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është e kushtëzuar nga rruga e Kosovës drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë ishte çuditërisht e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e ambicies dhe mungesa e plotë e besimit mes të gjitha palëve. Por ajo siguron të drejtën sovrane të Kosovës për t’iu bashkuar të gjitha organizatave ndërkombëtare. Tani, rruga e Serbisë drejt BE-së është 100% e kushtëzuar nga rruga e Kosovës drejt OKB-së”- ka shkruar ish-kryediplomati kosovar.
Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt, ku përmes 11 neneve, BE e Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) besojnë se kanë gjetur zgjidhjen përpara.
Aty Kosova – pos tjerash – pranon që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.
Serbisë i kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.
Ndryshe, ditë më parë “Radio Evropa e Lirë” raportoi se shtetet anëtare të BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut. Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.
Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzionet e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian.

