Kulture
Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit për Zhvillimin e Qëndrueshëm, organizuar nga Ambasada e Italisë dhe, në vijim të takimit të zhvilluar mes Ministrit italian të Kulturës, Dario Franceschini, dhe Ministres shqiptare të Kutlturës, Elva Margariti, gjatë Restoration Week 2020, që u mbajt në Romë nga data 20 deri më 25 shtator, Ambasada e Italisë në Tiranë organizoi ditën e sotme, veprimtarinë me titull “Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Shqipëri: modeli i qëndrueshmërisë italiane”.
Arkeologjia është një ndër elementët përbërës kryesorë të peisazhit kulturor në Shqipëri dhe ruajtja e saj, së bashku me integrimin e vetëdijshëm dhe koherent në kuadër të politikave të zhvillimit territorial, përbëjnë në vetvete çështjet qëndrore të politikave mbështetëse për një rritje ekonomike e sociale të ekuilibruar.
Modeli që misionet italo-shqiptare janë duke eksperimentuar, si përsa i përket metodave të ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike ashtu dhe përsa i përket integrimit të saj në kuadër të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm mund të shndërrohet në një formë tejet inovative. Për këtë qëllim, përfaqësuesit italianë të misioneve arkeologjike, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë si dhe me Institutin e Arkeologjisë, kanë ngritur kursin e formimit në distancë “ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore”, për studentët, profesionistët e sektorit, funksionarët e administratës publike shqiptare, si në nivel qendror ashtu edhe vendor.
Ambasadori Bucci, në fjalën e tij u shpreh se: “vërehet një tjetër ndjeshmëri ndaj trashëgimisë arkeologjike dhe artistike. Nëpërmjet kësaj jave jemi përpjekur të ndezim një far të vogël, edhe, e kryesisht, ndaj çështjeve të trashëgimisë arkeologjike e kulturore si dhe ndaj domosdoshmërisë për ta ruajtur atë, por për ta ruajtur në mënyrë dinamike, për ta ruajtur e zhvilluar gjithnjë e më shumë në kuadër të një konteksti qëndrueshmërie. Kultura gjeneron pasuri. Kultura është një prej atyre situatave nga e cila në mund të përftojmë elementë pozitivë, elementë zhvillimi, duke lidhur restaurimin dhe ruajtjen me sipërmarrje të suksesshme”.
Ministraja e Kulturës, Elva Margariti, teksa shprehu kënaqësinë e saj për përballjen me sukses të disa sfidave pavarësisht pèeriudhës së vështirë të shkaktuar jo vetëm nga tërmeti i vitit të kaluar por edhe nga pandemia e Covid-19, theksoi se: “takimi i sotëm përkon me një periudhë të rëndësishme, me hedhjen e hapave të mëtejshëm drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Para së gjithash Shqipëria ka nevojë për një kuadër ligjor të shëndetshëm , të konsoliduar e më të plotë për zhvillimin dhe bashkëpunimet e mëtejshme si dhe për t’u dhënë mundësi profesionistëve që jo vetëm të venë në jetë aftësitë, përvojat dhe dijet e tyre por edhe për t’i perfeksionuar më tej.”

