Bota
Rubio e rithekson përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se administrata Trump është e përkushtuar të qëndrojë në NATO dhe u bëri thirrje 32 vendeve anëtare të aleancës ushtarake të angazhohen për t’i rritur shpenzimet në mënyrë që ta përforcojnë mbrojtjen e saj.
Duke folur pasi mbërriti në takimin dyditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara janë “më aktive se kurrë” në aleancë. Ai u përpoq t’i qetësonte aleatët e shqetësuar se presidenti amerikan, Donald Trump, po dëmton marrëdhëniet transatlantike.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai e mbështet NATO-n. Ne do të qëndrojmë në NATO”, tha Rubio para se të hynte në takim.
“Ne duam të largohemi nga ky takim se e kemi kuptuar qartë se jemi në rrugë reale ku çdo anëtar i NATO-s është i përkushtuar dhe po përmbush premtimin për të arritur deri në 5 për qind të shpenzimeve. Kjo përfshin edhe SHBA-në”, tha ai.
Para takimit, shefi i NATO-s, Mark Rutte, gjithashtu u përpoq t’i shuante shqetësimet në lidhje me përkushtimin e Trumpit ndaj aleancës, duke thënë se, sipas tij, përkushtimi i SHBA-së ndaj NATO-s “është absolutisht i qartë.”
“E di që ka pasur disa deklarata të ashpra. E di që ka pasur aleatë, për shembull, në këtë anë të Atlantikut që janë shqetësuar për angazhimin afatgjatë të SHBA-së ndaj NATO-s,” tha Rutte më 2 prill.
“Unë e di që ka pasur retorikë të ashpër. E di që ka pasur aleatë, për shembull, në këtë anë të Atlantikut, të cilët janë të shqetësuar për angazhimin afatgjatë të SHBA-së ndaj NATO-s”, tha Rutte.

