Connect with us

Rajon

Rusia: Amerika po i bën presion Beogradit

Rusia ka vënë ‘me shpatulla pas murit’ ministrin serb të Ekonomisë Radeta Basta i cili kërkoi sanksionimin e Moskës për aktet në Ukrainë. Zëdhënsja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka kritikuar ashpër ministrin serb, madje ka akuzuar SHBA-të se po i bën presion Serbisë. Në një postim në rrjete sociale, zëdhënësja Zahkarova thekson marrëdhëniet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë, ku sipas saj qartazi SHBA është duke ndërhyrë në sovranitetin e Beogradit dhe po i bën presion. Ajo shprehet se ky presion do të vijojë ende.

 “Disa sjellje të çuditshme: Amerika po i bën presion Serbisë, dhe ministri serb po kërkon kundërshtimin e Rusisë. Ndoshta është më mirë nëse ministri serb do të fliste ashpër kundër presionit ndaj shtetit të tij?”, shkroi Zakharova në llogarinë e saj në Telegram.

Deri më tani, ky është reagimi i vetëm i Rusisë për deklaratën e bërë nga Basta më 13 mars.

“Rusia, për dallim nga SHBA-ja, gjithmonë ka respektuar Serbinë dhe popullin e saj. Dhe çështja nuk ka të bëjë vetëm me të vërtetën historike, por me një fakt të qartë: me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, presioni i SHBA-së ndaj Serbisë nuk do të ndalojë, por vetëm do të rritet”, vijoi Maria Zakharova.

Ministri serb deklaroi se Serbia po përballet me presion, pasi siç tha ai, nuk iu bashkua sanksioneve që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Moskës.

Basta është ministri i parë i Qeverisë serbe, i cili që ka nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, publikisht është deklaruar në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ai ka shpjeguar se kjo do të duhej të bëhet për shkak të ekonomisë serbe dhe interesave kombëtare.

“E shoh sesa presion po vendoset mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nuk mund të pranoj që të vazhdojmë të jemi të heshtur”, deklaroi ministri serb i Ekonomisë.

Serbia, që gëzon raporte të ngushta me Rusinë, është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, por ka përkrahur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.

Advertisement