Kosova
Rusia do luftë në Kosovë, alarmojë ekspertët amerikanë
Mark Montgomery dhe Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), në një artikull të përbashkët mbi zhvillimet e fundit në rajon, konsiderojnë se Rusia do shkaktojë telashe në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, në përpjekje për të dëshmuar dobësinë e NATO-s përmes përshkallëzimit të tensioneve.
“Një tjetër konflikt është duke shpërthyer në Evropë. Tre dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë, përplasjet midis Serbisë dhe Kosovës rindezën konfliktet e forta etnike. Teksa Beogradi drejton ngjarjet në terren, Moska ndez flakët”- kanë ngritur alarmin ekspertët amerikanë të sigurisë dhe informacionit.
Montgomery dhe Stradner paralajmërojnë gjithashtu se Rusia është duke përçuar mesazhe pro-luftës në Serbi, madje po dërgon edhe armë. Në artikull përmendet edhe zotimi i Serbisë për të rritur shpenzimet ushtarake këtë vit dhe hapjen e qendrës së ashtuquajtur humanitare të drejtuar nga Rusia afër bazës kryesore të NATO-s në Kosovë që shërben si qendër ruse spiunazhi.
Duke përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë në shtator të të njëjtit vit, ekspertët amerikanë kanë deklaruar se Rusia do të vazhdojë “raundin e dytë” të përshkallëzimit edhe gjatë vitin 2024.
“Perëndimi duhet të parandalojë paqëndrueshmërinë e mëtejshme në rajon. NATO duhet të rifokusojë burimet ushtarake dhe diplomatike atje dhe të përforcojë angazhimet ushtarake në Kosovë. Një koalicion i anëtarëve të gatshëm të NATO-s duhet të angazhohet publikisht tani për të ofruar ndihmë ushtarake nëse Serbia ose Rusia ndërmarrin hapa agresivë” – kanë theksuar Montgomery dhe Stradner.
Gjithashtu, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike.
Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.