Bota
“Rusia duhet të paguajë”, thotë Ursula von der Leyen
Bashkimi Evropian kërkon që Rusia të paguajë për atë që po bën në Ukrainë. Kryetarja e Komisionit Ursula von der Leyen ka propozuar krijimin e një gjykate speciale, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të hetuar dhe ndjekur penalisht ato që ajo i sheh si krime nga rusët. Kështu pranohet një kërkesë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, e mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian në rezolutën e fundit për këtë temë.
“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, përfshirë atë të agresionit kundër një shteti sovran”, tha von der Leyen
Do të diskutohet gjithashtu një ligj i ri për konfiskimin e aseteve ruse të sekuestruara aktualisht dhe financimin e rindërtimit të Ukrainës me to.
“Rusia gjithashtu duhet të kompensojë financiarisht për shkatërrimin që ka shkaktuar. Dëmi i pësuar nga Ukraina llogaritet në 600 miliardë euro. Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot e rindërtimit të vendit, dhe ne kemi mjetet për ti detyruar ta bëjnë” – Tha Presidentja e Komisionit Europian
Për momentin në Union ka 300 miliardë euro rezerva të Bankës Qendrore të Rusisë dhe 19 miliardë euro të qytetarëve privatë rusë. Sidoqoftë, përdorimi i tyre nuk është aq i thjeshtë.
Ligjet e reja nuk do të funksionojnë në mënyrë retroaktive dhe për t’u konfiskuar në mënyrë të ligjshme, paratë dhe luksi duhet t’u përkasin individëve të veçantë dhe me prova. I gjithë operacioni është i ndërlikuar nga pikëpamja juridike, por Komisioni nuk do lërë gurë pa lëvizur.