Rajon
Rusia kërcënon Serbinë – Zakharova: Beogradi e di rrezikun nëse armët bien në duar të gabuara

Rusia kërcënon sërish Serbinë. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp, paralajmëroi një rrezik për Beogradin lidhur me dërgimin e armatimeve të ndryshme në ndihmë të Ukrainës.
Zyrtarja ruse konfirmoi se Moska “i ka marrë parasysh garancitë e deklaruara publikisht nga kreu i shtetit serb se do të nisë një auditim për bashkëpunimin ushtarako-teknik të Beogradit me partnerët e huaj me qëllim identifikimin e mashtrimeve me certifikatat e përdoruesit fundor”.
Zakharova komentoi dhe deklaratën me nota të ashpra të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, duke mbështetur zbulimin se Serbia ka furnizuar me armë dhe municione Ukrainën, siç thuhet nga Moska, në kundërshtim me “neutralitetin” ushtarak të deklaruar nga Beogradi zyrtar.
“Ne supozojmë se masat e shpallura do të mundësojnë regjistrimin dhe ndërprerjen në kohë të kontratave të dyshimta të eksportit dhe do të parandalojnë që produktet ushtarake të arrijnë ‘në adresën e gabuar’. Jemi të sigurt se Serbia e kupton qartë gamën e plotë të rreziqeve që paraqet mundësia që produktet e kompleksit kombëtar ushtarako-industrial të bien në duart e regjimit të Kievit dhe se ata do të marrin masa efektive dhe të mjaftueshme për të siguruar që asgjë të mos hedhë hije mbi marrëdhëniet e mira midis vendeve tona”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Në mesin e akuzave të ashpra për thikë pas shpine dhe vrasje të vëllezërve sllavë, Inteligjenca e Rusisë i përmendi Serbisë mbështetjen e madhe të dhënë përgjatë historisë. “Rusia u ka ardhur vazhdimisht në ndihmë serbëve në momentet më kritike të historisë së tyre.
Përfshirë edhe bombardimin e Beogradit nga NATO dhe tragjedinë e Kosovës”, lexohej në deklaratën e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë. Presidenti Serb, Aleksandër Vuçiç, u përgjigj duke mohuar akuzat dhe pretenduar një hetim. Megjithatë deklaroi se kompanitë serbe duhet që të punojnë.

