Politike
Rutte publikon detaje nga takimi me Ramën, e cilëson kryeministrin shqiptar “mik të dashur”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka publikuar një mesazh në median e tij sociale X, ku pasqyron takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke e quajtur këtë të fundit “një mik të dashur” dhe duke vënë theksin te diskutimi i situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Rutte, përmes mesazhit, e quan një takim të mirë atë me Ramën dhe thotë se palët kanë diskutuar situatën në Ballkanin Perëndimor, mbështetjen për Ukrainën, si edhe rëndësinë për të rritur shpenzimet e Mbrojtjes e për ta bërë Aleancën më të fortë.
Përmes një publikimi në median e tij sociale Facebook, Rama më herët ka shpërndarë disa fotografi me Rutten, duke e quajtur atë një “mik të çmuar”.
Ndërsa, ka ndarë edhe detaje nga biseda, përfshi faktin se Porti i ri i Durrësit do të shohë edhe angazhimin e Aleancës për terminalin ushtarak në Porto Romano.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, njofton kryeministri.
Pika më kulminante e këtij Samiti megjithatë pritet të jetë pikërisht ai i shpenzimeve të Mbrojtjes, me një rritje që pritet të jetë në 5% të PBB-ve të vendeve aleate dhe që është dakordësuar mes të gjithëve, me një përjashtim për Spanjën.
Shqipëria është adaptuar me kërkesën e re të NATO-s dhe ka pranuar të çojë shpenzimet për Mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kështu ka arritur të konfirmojë Albanian Post lidhur me çështjen, teksa është bërë publike nga NATO-ja arritja e dakordësisë mes palëve.
Siç ka mësuar Albanian Post, Shqipëria do të shtrijë rritjen graduale në një periudhë dhjetëvjeçare dhe shpenzimet pritet të jenë 3.5% në terma faktikë për armatime dhe 1.5% që mund të investohen edhe në infrastrukturë për interesa ushtarake, duke plotësuar gjithë kërkesat e Aleancës.
Anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord në parim të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Spanja fillimisht e kundërshtoi këtë veprim, por hoqi dorë nga kundërshtimet e saja pasi siguroi një përjashtim.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ushtruar presion mbi aleatët që të angazhohen për këtë objektiv kur të takohen për dy ditë që fillojnë të martën në Hagë.
Spanja kishte qenë e fundit që nuk arriti një marrëveshje kompromisi që i sheh aleatët të premtojnë të arrijnë 3.5 për qind për nevojat thelbësore ushtarake gjatë dekadës së ardhshme dhe të shpenzojnë 1.5 për qind për një kategori më të lirshme të shpenzimeve “të lidhura me mbrojtjen”, siç janë infrastruktura dhe siguria kibernetike.
Diplomatë të shumtë në NATO thanë se marrëveshja kishte kaluar me miratimin e të gjitha 32 kombeve dhe se nuk kishte përjashtim për Madridin.
Por brenda pak minutash, Sanchez doli duke thënë se kishte arritur një marrëveshje me NATO-n që do ta shihte vendin e tij të vazhdonte të respektonte angazhimet e tij “pa pasur nevojë të rriste shpenzimet tona të mbrojtjes në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto”.

