Shkrime
Sadri Ramabaja: Serbia po përdoret si “Hamas” kundër Kosovës
Drejtori i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë z. Sadri Ramabaja, për emisionin Jashtë Kontrollit theksoi se sulmi i Hamasit mbi Izraelin shënon një pikë kthese pas gati 50 vitesh në raportet midis Izraelit dhe Palestinës. Ai e cilësoi Hamasin një organizatë terroriste dhe gjithashtu deklaroi se Lufta në Ukrainë, sulmi terrorist në Veri dhe sulmi terrorist në Gaza janë të bashkëlidhura dhe tentojnë goditjen e rendit aktual politik botëror. Ai shtoi se ky konflikt nëse nuk menaxhohet me maturi ka rrezik të thellohet dhe zgjerohet duke futur në vorbull edhe shtete të tjera si Irani. Ndër të tjera ai tha se nëse Hamasi po përdoret nga Irani kundër Izraelit, Serbia po përdoret si Hamas kundër Kosovës dhe Perëndimit.
Ndërsa njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Brenton Kotorri pasi dënoi sulmet e Hamasit mbi civilët dhe sulmet e Izraelit mbi qytetarët e pambrojtur në Gaza , deklaroi se për të kuptuar situatën e krijuar në Gaza duhet ta shohim problemin në kontekstin historik dhe për këtë ai bëri fajtor Izraelin, i cili nuk respekton asnjë rezolute dhe injoron të gjitha paralajmërimet e OKB në lidhje me situatën atje. Ai gjithashtu shtoi se nëse Izraeli do të pushtonte Gazën kjo do të prodhonte një situatë shumë të paparashikueshme në lidhje me konfliktin .
Endri Tafani, publicist dhe njohës i konfliktit Izrael -Palestine fajësoi Hamasin për sulmin dhe e i dha të drejtë Izraelit për kundërofensivën e nisur ne Gaza , sepse sipas tij askush nuk ka të drejtë të fshihet pas grave dhe fëmijëve pasi sulmon gratë dhe fëmijët e dikujt tjetër. Ai gjithashtu shtoi se Arabia Saudite do të mbaje anën e Izraelit kundër Hamasit, sepse ajo e sheh Hamasin si zgjatim te Iranit, rivalit të saj kryesor në rajon. Nder të tjera ai e krahasoi luftën e Hamasit me luftën e UÇK, ku tha se UÇK nuk sulmoi kurrë gra dhe fëmijë por vetëm segmente të ushtrisë serbe ndaj fitoi mbështetjen e Perëndimit, ndërsa Hamasi po lufton gra dhe fëmijë ndaj është i zoluar dhe nuk do gëzoje kurrë mbështetje.